Sulmoi gjyqtarë, media e gazetarë: Brenda tre muajve, tri herë presidentja keqpërdori publikisht informacionet e AKI-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpeshtuar keqpërdorimin e informacioneve të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës(AKI). Brenda një periudhe tre mujore, ajo tri heq i ka përdorur raportet e kësaj agjencia për të iu dhënë peshë qëndrimeve të veta politike.

Madje, këto informacione ajo i ka shfrytëzuar për të sulmuar publikisht individë të caktuar. Cak i këtyre sulmeve të shefes së shtetit ishte një gjyqtar i Kushtetuese dhe disa gazetarë.

Publikimi i informacioneve të tilla është parë si metodë shantazhi i të parës së vendit ndaj atyre që nuk i pëlqen ajo.

Një gjë të tillë e ka bërë para disa dite.

Në një konferencë për media, ajo ka sulmuar disa gazetarë, duke tentuar t`i lidh me kriminelin serb Milan Radoiçiq, i cili është i dyshuari kryesor për sulmin terrorist në Banjska.

Pa ofruar asnjë fakt, ajo ka deklaruar se këtë gazetarë kanë pasur në plan një grusht-shtet në Kosovë.

Osmani ka pretenduar se këto informacione i ka nga institucionet e sigurisë.

“E para nuk janë hetuar gazetarët. Është hetuar tjetër kush, janë hetuar Radoiçiqiat. Kur hetohen Radoiçiqiat, dalin bashkëpunëtorët e tyre. Dhe natyrisht që institucionet tona të sigurisë e kanë detyrë shtetërore, morale, ligjore, që të hetojnë deri në fund çdo bashkëpunim që ka rrezikuar Kosovën, përfshirë plane për grusht-shtet, rrezikime të ndryshme që i bëhen Kosovës. Pastaj kanë dalur shumë prova. Institucionet e sigurisë po vazhdojnë hetimet. E dinë ata kush janë, e kanë mizën mas veshi”, ka thënë Osmani, duke mos përmendur emra.

Kjo nuk është hera e parë që Osmani iu referohet raporteve të institucioneve të sigurisë për të sulmuar të tjerët.

Më 5 gusht, me të njëjtat informacione ajo ka sulmuar edhe gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Radomir Llaban.

Pasi ky i fundit ishte caktuar gjyqtar raportues i lëndës që presidentja e kishte dërguar në Kushtetuese, Osmani kishte dalë në një konferencë për media për të sulmuar gjyqtarin në fjalë.

Duke u thirrur në informacione të institucioneve të sigurisë, ajo kishte thënë se Laban është kërcënim për sigurinë kombëtare.

“Këtë e kam bërë si reagim të menjëhershëm ndaj informatës tashmë të konfirmuar se si gjyqtar raportues në këtë kërkesë është caktuar gjyqtari Radomir Llaban, për veprimtarinë e rrezikshme të të cilit në vitet 2018, 2021 dhe 2024, institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta e zyrtare. Sipas këtyre informatave të cilat në vitet 2021 dhe 2024 po ashtu janë ndarë edhe me Gjykatën Kushtetuese, ky gjyqtar paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, kishte thënë Osmani.

Shefja e shtetit raportet e AKI-së i kishte keqpërdor edhe në një rast tjetër.

Duke i komentuar deklaratat e presidentit të ShBA-së, Donald Trump, i cili kishte thënë se parandaloi një konflikt në mes të Kosovës dhe Serbisë, Osmani kishte thënë se edhe ajo e kishte pasur një informacion të tillë.

Më 10 korrik, Osmani kishte vlerësuar se një gjë të tillë e kishte mësuar bazuar në “brifingjet e sigurisë” që ajo marrë çdo ditë nga AKI-ja.

“Kur jemi te informatat të mëtejme. Siç thash, ashtu siç e kuptojmë ne bazuar në brifingjet e sigurisë që unë marrë çdo ditë: Presidenti Donald Trump ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm, nëse mund ta quaj kështu, kohëve të fundit.Nuk po flasim për 2023, as 2022, po flasm për zhvillime që janë bash-bash kohëve të fundit. KFOR është aty, është për parandalim. Dhe kanë bërë punë të mrekullueshme në parandalim dhe mirëmbajtjen e sigurisë”, kishte thënë Osmani.

Me ligjet e Kosovës është i ndaluar përdori në publik i informacioneve të AKI-së.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka bërë me dije se një gjë e tillë ndalohet me ligj.

“Informatat e AKI-së nuk guxojnë të përdoren në publik, dhe unë po shoh që po i përdorin këta”, ka thënë Hasani.

Ai ka bërë me dije se krerët e shtetit të Kosovës po abuzojnë me këto informacione.

“Nëse ti thua që ka rrezik për sigurinë kombëtare dhe dyshohet që punon me BIA-n, dhe nuk ka procedurë penale ndaj tij, atëherë t’i po abuzon informatat që të vijnë të vijnë zyrtarisht. Me ligj ato janë të ndaluara”, është shprehur Hasani./Nacionale