Vendimi i ShBA-së që të pezullojnë përkohësisht Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën ka nxitur reagime të shumta në vend. Ndaj këtij veprimi të ShBA-së, i cili po konsiderohet si shuplaka më e madhe amerikane ndaj Kosovës, kanë reaguar edhe disa deputetë të VV-së.
Me qëndrimet e tyre ata kanë çuditur opinionin publik.
Ndër të paret që e ka komentuar veprimin e ShBA-së ka qenë deputeti Armend Muja.
Ai pretendon se pezullimi i këtij procesi i konvenon Kosovës.
“Amerika nuk po don të bëjë Dialog Strategjik tash me Kosovën sepse nuk po don ta bëjë edhe me Serbinë përderisa Vuçiqi i ka qitur tenkat në rrugë. Ose edhe me Kosovën edhe me Serbinë, ose me asnjërën. Në fakt, neve na konvenon më shumë kështu – me asnjërën!”, ka shkruar Muja në profilin e tij në “Facebook”.
I çuditshme me reagim ka qenë edhe deputeti tjetër i VV-së, Arber Rexhaj.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka ftuar qytetarët që të rezistojnë.
Sipas tij, në fund Kosova do të fitojë.
“Para dy vjetëve e patën larguar FSK-në nga Defender 23 pas vendosjes së katër kryetarëve në zyrat e tyre në komunat në veri të Ibrit. Sivjet u mbajt Defender 25, ku ishim edhe nikoqir e jo veç pjesëmarrës. Pastaj erdhën autoblindat dhe dronët. Kush qëndron, fiton. Duhet të qëndrojmë, dhe: Fitojmë!”, ka shkruar ai.
Kurse, deputeti Nezir Kraki, i cili më herët e kishte shpallur fundin Amerikës, ka thënë se nuk e di pse e ka marrë këtë vendim ShBA-ja.
Në një debat në Kanal 10, ai ka thënë se nuk e di se cili veprim i Qeverisë së Kosovës e ka nervozuar ShBA-në.
“Zor me ditë se cila pjesë e veprimeve tona e nervozoi Amerikën. Nuk ka pasë aksion që me pasë reaksion të Amerikës”, ka thënë ai.
Ndaj vendimit të ShBA-së dje ka reaguar Qeverinë dhe Presidenca.
Në reagim e saj Qeveria ka vlerësuar se arsyet e këtij vendimin duhet të jenë më konkrete.
“Ne i jemi gjithmonë mirënjohjes për kontributin dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendin tonë dhe i falënderojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen dhe ndihmën ndaj shtetit të Kosovës dhe popullit tonë në aq shumë fusha. I mirëpresim edhe kritikat. Kurdo që janë konkrete përpiqemi maksimalisht të përmirësojmë dhe korrigjojmë hapat e veprimet tona”, është thënë në reagimin e Qeverisë.
Kurse, Presidenca ka shprehur keqardhje për këtë vendim.
“Presidentja shprehë keqardhje dhe shqetësim të thellë rreth vendimit për pezullimin e Dialogut Strategjik, një mekanizëm i rëndësishëm i bashkëpunimit në mes Kosovës dhe ShBA-ve. Dialogu Strategjik u iniciua nga Presidentja në vitin 2021, përmes një propozimi të adresuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky propozim i Presidentes u rikonfirmua në qershor 2022, me anë të notës verbale dhe gjatë takimit me Sekretarin Amerikan të Shtetit, në korrik të po atij viti”, është thënë nder të tjera në reagimin e Presidencës./Nacionale