E goditën me thikë për t’i grabitur orën, iu mbyll karriera 27 vjeç: Ende kam dhimbje nga plagët…

Ish-mbrojtësi i Liverpool-it dhe Derby County, Andre Wisdom, ka rrëfyer episodin që i ndryshoi jetën. Pas një karriere premtuese në Premier League, në vitin 2020 u sulmua brutalisht nga disa persona me maska në Liverpool, vetëm për t’i vjedhur orën. “Ende kam dhimbje në trup nga ajo natë. Nuk do të thoja që ma shkatërroi karrierën, por e ndryshoi përgjithmonë. Një pjesë e imja iku atë ditë”, – tha ai për “BBC Sport”.

Edhe pse u rikthye në stërvitje, trupi i tij nuk reagoi më njësoj. Pas disa provave të pasuksesshme me klube të ndryshme, në moshën 27-vjeçare u detyrua ta braktiste futbollin profesionist: “U ktheva shumë shpejt, nuk doja të rrija në shtëpi e të mendoja për gjithçka që ndodhi, por nuk kisha më të njëjtin shpërthim e shpejtësi”.

Wisdom gjeti një rrugë të re në biznesin e pasurive të paluajtshme, duke i dhënë me qira shumë prej shtëpive të tij në Liverpool për lojtarët e rinj. “Kjo ishte mënyra ime për t’i ndihmuar djemtë e rinj, që janë aty ku kam qenë unë dikur”. Në vitin 2023, për dashurinë ndaj futbollit, ai u rikthye në fushë me ekipin gjysmëprofesionist FC United of Manchester.

 

The post E goditën me thikë për t’i grabitur orën, iu mbyll karriera 27 vjeç: Ende kam dhimbje nga plagët… appeared first on Telesport.