Publicisti i njohur, Ben Blushi thotë se para kosovarëve shumë popuj kanë pasur fatkeqësinë të drejtohen nga njerëz të papërshtatshëm.
Përmes një opinioni të publikuar në rrjetin social, Facebook, Blushi shkroi se ka ndodhur edhe që kryeministrat të jenë të paaftë, të dëmshëm e të dhunshëm siç është kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Por ai shton se popujt e tjerë “Albinët i zbojnë nga qielli si korbat”, duke shtuar se ikjen e tij e kanë në dorë qytetarët e Kosovës.
“Albinsektet janë ushqimi i Albinit, ata e mbajnë të ndezur zemrën e tij të shuar, ata ia tundin krahët kur nuk fluturon dot, ata ia hapin sqepin kur duhet të kafshojë, ata ia ngarkojnë flatrat e urrejtjes me gurë, ata e shërojnë kur ai plagoset, ata ia pastrojnë kthetrat kur ai nxjerr sytë, ata qeshin kur ai nuk ka cipë, ata ia rrahin rivalët me rrip, ata e quajnë hero meqë flet shqip, ata e çojnë nga rënia në gropë, ata nuk ndahen kur ai bëhet copë”, shkruan Blushi.
Blushi pyet edhe se çfarë bëri kryeministri në detyrë i Kosovës për pesë vite?
“Aktualisht në Evropë nuk ka asnjë shoqëri më depresive se Kosova. Të varfërit po varfërohen, të pasurit po rrallohen. Mijëra njerëz ikin çdo ditë. Bizneset po mbyllen. Ekonomia është rrudhur dhe prodhimi është pakësuar. Papunësia është më e larta në rajon. Investime publike nuk ka. Investimet e huaja janë një koncept i panjohur. Bizneset e Kosovës po emigrojnë në Shqipëri”, shkroi Blushi.
Derisa, sipas tij me vendimin e djeshëm për pezullimin e dialogut strategjik, Amerika e ka shpallur Albin Kurtin “de fakto non grata”.
“Marrëdhëniet e Kosovës me Amerikën janë në pikën më të ulët. Me vendimin e djeshëm Amerika e ka shpallur Albin Kurtin de fakto non grata. Raportet me Evropën janë të bllokuara prej dy vitesh. Kosova është nën embargo. Marrëdhëniet me Shqipërinë janë më keq se në kohën e Jugosllavisë. Kufiri është i hapur, por shpirti është i mbyllur. Njerëzit takohen, por Albin Kurti i ndalon të duhen”, vijon ai.
Tutje, Blushi thekson se si kurrë më parë ka një sentiment të fortë kundër shqiptarëve të Shqipërisë.
Blushi shton se “Albin Kurti e humbi mundësinë të bëhet shqiponjë sepse nuk u ngrit asnjëherë në atë lartësi. Ai është një korb që do vazhdojë të ushqehet me insekte, duke vrarë fluturat e shpresës”.