Në Shtime, para se të fitojë votat e qytetarëve, kandidati i Vetëvendosjes, Besnik Brahimi, fitoi një tjetër garë, atë për subvencionet publike. Brenda vetëm pak javësh, ansambli i tij kulturor u mbush me afro 25 mijë euro nga buxheti i komunës dhe i ministrisë, ndërsa vetë Brahimi u shfaq në listën zgjedhore të VV-së. Kjo “dyfishtë fitore” me para dhe me kandidaturë ka ngjallë dyshime për konflikt interesi dhe përdorim të fondeve publike në prag të zgjedhjeve.
Vetëm pak javë para zgjedhjeve lokale të tetorit 2025, një aferë me fonde publike ka shpërthyer në Komunën e Shtimes dhe Ministrinë e Kulturës. Dokumentet zyrtare tregojnë se Besnik Brahimi, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për Asamblenë Komunale, ka përfituar 24,750 euro subvencione gjatë muajve gusht dhe shtator 2025, shkruan Demokracia.com.
13 mijë euro nga Komuna
Më 13 gusht 2025, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, miratoi ndarjen e 13,000 eurove për Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Ilirida, OJQ e drejtuar nga kandidati Brahimi.
Vetëm një ditë më pas, më 14 gusht, Brahimi shpalli kandidaturën në listën e Aliut, duke e quajtur atë “kampion” dhe duke e konsideruar veten pjesë të “listës fituese” të VV-së. Kjo përputhje mes financimit dhe shpalljes së kandidaturës ka ngritur dyshime serioze për konflikt interesi dhe përdorim të parasë publike për fushatë.
11,750 euro nga Ministria e Kulturës
Vetëm pak ditë më vonë, edhe Ministria e Kulturës – e udhëhequr nga Hajrullah Çeku (VV) – miratoi fonde për të njëjtin ansambël.
Sipas listës së publikuar më 10 shtator 2025, Brahimi përfitoi:
- 6,000 € për projektin kulturor “Folk Fest” në Shtime;
- 5,750 € për pjesëmarrje në një festival ndërkombëtar në Turqi.
Totali: 24,750 euro
Në më pak se një muaj, kandidati i VV-së ka përfituar:
- 13,000 € nga Komuna e Shtimes,
- 6,000 € nga Ministria e Kulturës,
- 5,750 € nga Ministria e Kulturës.
Në total, 24,750 euro fonde publike i janë dhënë një kandidati politik, në kulmin e fushatës zgjedhore.
Opozita në Shtime e ka quajtur këtë rast “bankomat politik” dhe “shembull flagrant të konfliktit të interesit”. Zyrtarë të PDK-së kanë kërkuar hetim nga Prokuroria dhe Agjencia Kundër Korrupsionit, duke theksuar se paratë publike janë përdorur për fuqizimin e kandidatit të pushtetit.
Sipas tyre, është e papranueshme që fondet e destinuara për kulturën të shpërndahen në prag të zgjedhjeve vetëm për një organizatë të lidhur me kandidatin e VV-së, ndërsa shumë OJQ e shoqata tjera mbeten pa mbështetje.
Pak ditë më parë, “Demokracia” raportoi se vetëm gjatë muajit gusht 2025, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Asamblenë Komunale të Shtimes, Besnik Brahimi, ka përfituar gjithsej 19 mijë euro subvencione nga buxheti i shtetit – 13 mijë euro nga Komuna e Shtimes dhe 6 mijë euro nga Ministria e Kulturës. /Demokracia.com/.