Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit fillon sot.
Subjektet politike që janë certifikuar nga KQZ-ja për këto zgjedhje për 30 ditë sa do të zgjatë fushata do të prezantojnë ofertat e kandidatëve të tyre për kryetar të komunave.
Derisa Lëvizja Vetëvendosje këtë fushat e ka hapur mbrëmë në Prishtinë, partitë tjera politike kanë njoftuar se fushatën do ta hapin sot.
Partitë politike tashmë kanë prezantuar edhe sloganet me të cilat do të synojnë t`i bindin qytetarët për zgjedhjet e 12 tetorit.
LVV-ja e Albin Kurtit për këto zgjedhje ka zgjedhur sloganin “Bashkë për komunat”, PDK-ja “Ma mirë për komunën”, LDK-ja “Kosova përtej”, dhe AAK-ja “Dritë për komunat”.
Liderët e këtyre partive janë shprehur optimist se me këto slogani do të korrin suksese të mëdha me 12 tetori.
Kryetari i VV-së, Albin Kurti, mbrëmë në hapje të fushatës, ka deklaruar se VV-ja është opsioni që i duhet Kosovës.
“Së bashku e dimë çka na duhet, kush mundet, kush ka vullnet dhe dije. Më 12 tetor, të gjithë së bashku të votojmë opsionin që na duhet, kryetarin që mundet, që ka vullnet e që ka dije, e ai kryetar e ka numrin 105, dhe i përket Lëvizjes sonë kombëtare e përparimtare, zhvilluese dhe modernizuese, Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, është shprehur Kurti.
Të njëjtin optimizëm e ka shprehur edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
“Me numrin 191, PDK hyn në zgjedhjet lokale për t’ua sjellë komunave të Kosovës modelin e qeverisjes #MaMirë – me punë, përgjegjësi dhe vizion. Me kandidatët më të mirë për kryetarë, këshilltarët më të përgatitur komunalë dhe programin më zhvillimor, jemi gati për fitore. Bashkë, përpara!”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Kurse, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar se koha është në anënn e partisë së tij.
“Gati për nesër. Të gjitha rrugët na bashkojnë në Pallat të Rinisë nga ora 18:00, në hapjen e madhe të fushatës lokale dhe prezantimin e kandidatëve tanë. LDK ju pret. Koha është në anën tonë. Populli i Kosovës është ngopur me fjalë e urrejtje të thatë; le të kthehemi në gjenezë! Një Kosovë e shkollës e shnetës, rrugës e dritës, kulturës e familjes”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Ndërsa, Ramush Haradinaj, ka thënë se AAK-ja tashmë e ka dëshmuar veten në qeverisje komunale me rezultate konkrete.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të hapë zyrtarisht fushatën për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit 2025, më 13 shtator 2025, duke filluar nga ora 13:00, në Hotel Venus, Prishtinë. Slogani ynë është “Dritë për Komunat”, kjo vjen për faktin se qeverisja e AAK-së në komuna ka dëshmuar rezultate konkrete, duke ofruar modele të sukseshme të udhëheqjes dhe zhvillimit lokal. Kryetarët tanë dhe ekipet qeverisëse kanë arritur suksese të prekshme, duke u renditur lart në tabelat e performancës komunale”, ka shkruar ai.