Fushata zgjedhore, KQZ-ja tregon rregullat për partitë dhe mbështetësit e tyre

Për herë të dytë brenda të njëjtit vit, shumica e subjekteve politike në Kosovë, do të zhvillojnë fushatën e tyre zgjedhore në kërkim të mbështetjes së votuesve.

Nën një situatë politike të paqartë për shkak të moskonstituimit dhe formimit të institucioneve qendrore, si Kuvendi dhe Qeveria, subjektet politike kësaj radhe do të kërkojnë mbështetjen për të zgjedhur drejtuesit e institucioneve në nivelin lokal, tridhjetë e tetë kryetarët e komunave dhe 942 anëtarët e kuvendeve komunale.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka shpjeguar për KosovaPress, se fushata zgjedhore për 93 subjektet politike me mbi 5 mijë e 600 kandidatë, do të zhvillohet nga sot deri në orën 06:59 të datës 12 tetor, transmeton Klankosova.tv.

“Për 30 ditë me radhë, subjektet politike do të mund të zhvillojnë aktivitetet e tyre në kuadër të fushatës zgjedhore. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i miratuar në vitin 2023 nga Kuvendi i Kosovës, fushata zgjedhore përfundon me hapjen e qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve. Pra, ashtu si në zgjedhjet e fundit që u mbajtën në shkurt të këtij viti, një ditë para ditës së zgjedhjeve, të shtunën, nuk do të jetë heshtje zgjedhore”, tha Elezi.

Ai ka treguar për ndalesat dhe kufizimet ligjore gjatë periudhës së fushatës zgjedhore që duhet t’i respektojnë subjektet politike dhe mbështetësitë e tyre.

“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme ka përcaktuar një sërë veprimesh të ndaluara për subjektet politike, kandidatët dhe mbështetësit e tyre, gjatë fushatës zgjedhore. Këto ndalesa lidhen kryesisht me mospengimin e fushatës së kundërshtarit politik dhe ndalimin e rreptë të kërcënimeve dhe dhunës gjatë procesit zgjedhor. Në përgjithësi, sipas ligjit, fushata duhet të zhvillohet në një atmosferë të qetë, të respektueshme, demokratike, pa gjuhë urrejtjeje, pa frikësime dhe e distancuar nga çdo formë dhune”, tha Elezi.

Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 9 shkurt, PZAP kishte shqiptuar gjoba në vlerën e 651 mijë eurove ndaj subjekteve politike që kishin shkelur Kodin e Mirësjelljes.

Gjatë fushatës zgjedhore, KQZ do të angazhojë monitorues në komuna të ndryshme të cilët do të përcjellin organizimin e takimeve, fushatave reklamuese dhe materialeve tjera promovuese.

“Sipas ligjit, KQZ nuk i trajton ankesat për shkelje gjatë fushatës zgjedhore, pasi kjo është detyrë e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Megjithatë, KQZ ka rol në monitorimin e organizimit të takimeve, fushatave reklamuese dhe materialeve të tjera promovuese. Përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, do të angazhohen monitorues në komuna të ndryshme të Kosovës, të cilët do të përgatisin raporte për aktivitetet e subjekteve politike. Këto raporte do të shfrytëzohen si burim informacioni për evidentimin dhe krahasimin me të dhënat e deklaruara në raportin financiar të fushatës”, njoftoi Elezi.

Për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, KQZ ka certifikuar 93 subjekte politike, prej të cilave, 33 parti politike, dy koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.

Vetëm në zgjedhjet për kryetarë të komunave janë 206 kandidatë, ndërkaq për Kuvende Komunale më shumë se 5 mijë e katërqind.

Përndryshe, 46 mijë e 15 shtetas të Kosovës nga 46 shtete të ndryshme të botës, janë regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale.