Gazetarja dhe publicistja Flaka Surroi e ka kritikuar ashpër presidenten Vjosa Osmani për sulmet e fundit ndaj mediave.
Ajo ka vlerësuar se statusi i shefes së shtetit ku ankohet ndaj mediave ishte skandaloz.
Në një opinion të saj botuar në Koha, Surroi ka numëruar pretendimet e pabazuar të presidentes ndaj gazetarëve.
“Statusi i Osmanit qe skandaloz. Duke nisur nga toni. E më pas nga përdorimi i shprehjes “të ashtuquajturit gazetarë” (qëkur kryetarja e shtetit ka kompetencën për t’i klasifikuar profesionet e kujtdo qoftë?), për të kaluar në linjën e viktimizimit dhe kinse sakrificës së madhe që i ka dërguar fëmijët në shkollë publike, me policë, të cilët me prezencën e tyre e kanë zbuluar vendqëndrimin e vajzave (të cilin supozohet se nuk duhet ta dijë askush, se mund t’i kidnapojë dikush) dhe për të përfunduar me akuzën “pse nuk merreni me të tjerët, e po merreni me kryetaren dhe familjen e saj”, mbase duke “harruar” se Kosova e ka veç një shef të shtetit, që ka ardhur në pushtet duke i kritikuar krejt ato që qe pesë vjet i zbaton vetë”, ka shkruar ajo, duke komentuar vlerësimet e Osmanit për shkollën publike ku i kishte deri me tani vajzat.
“E tash, nëse gjendja e shkollës, siç e përshkruan Osmani është aq e tmerrshme, pse i paska mbajtur pesë vjet në atë objekt shkollor, pra? A nuk ka mundur, teorikisht, tërheqja e vajzave të saj prej aty të ishte veprim proteste që do të kishte peshë dhe do të ishte shenjë alarmi për Komunën e Prishtinës që të ndërmerrte masa urgjente sanimi të gjendjes. Fakti se e kanë ndërruar vendbanimin, nuk do mund të qëndrojë si arsyetim i fuqishëm për ndërrimin e shkollës, ngase vajzat edhe ashtu transportohen me vetura zyrtare në shkollë. E për t’i shmangur vonesat, policët përherë mund t’i përdorin sirenat, siç edhe bëjnë sa herë që Osmani del me veturë nëpër qytet”, ka shkruar ajo, duke dhënë detaje tjera.
“Por, ishte edhe një fjali tjetër, shumë shqetësuese që kishte të bënte me gazetarët (e ashtuquajtur, sipas saj), për të cilët thotë: “për ndonjë prej tyre do të shokoheshit se me çfarë veprimtarie të kundërligjshme merren, sipas institucioneve tona të sigurisë”.
Nëse institucionet e sigurisë së Kosovës i paskan informatat e këtij lloji, si bëhet atëherë që këta njerëz, pavarësisht se çfarë profesioni kanë, janë ende të lirë? A bëhet se bëjnë veprimtari të kundërligjshme vetëm karshi Osmanit, apo paraqesin edhe rrezik të përgjithshëm për pjesën tjetër të Kosovës që nuk ka post politik?”, ka shkruar ajo.