“Nuk do ta lejoj kurrë trashëgiminë tënde të vdesë”, gruaja e Charlie Kirk flet me lot pas të shtënave

Gruaja e Charlie Kirk, Erika, ka mbajtur një fjalim plot lot në të cilin falënderoi ekipet e ndihmës së shpejtë që u përpoqën t’i shpëtonin jetën burrit të saj, pasi ai u qëllua për vdekje në një kampus universitar në Utah.

Në një transmetim të drejtpërdrejtë, duke qëndruar pranë karriges bosh të burrit të saj që ai e përdorte gjatë regjistrimeve të podkasteve, ajo citoi Biblën dhe foli për dashurinë e tij për Presidentin Donald Trump, Zëvendëspresidentin JD Vance, Shtetet e Bashkuara dhe dy fëmijët e çiftit.

Në fjalën e saj, znj. Kirk u zotua: “Zëri i burrit tim do të mbetet”.

“Por mbi të gjitha, Çarli i donte fëmijët e tij. Dhe më donte mua. Me gjithë zemër. Dhe sigurohej që unë ta dija këtë çdo ditë”, vijoi ajo. 

Duke iu drejtuar “keqbërësve”, znj. Kirk tha: “Nuk e keni idenë se çfarë zjarri keni ndezur brenda kësaj gruaje, britmat e kësaj ‘vejushe’ do të jehojnë në të gjithë botën si një britmë beteje.”

Erika Kirk është një grua biznesi dhe ish-fituese e Miss Arizona USA, e cila u takua me bashkëshortin e saj në vitin 2018. Çifti u fejua në vitin 2020 dhe u martua më pak se një vit më vonë.

Kirk, një aktivist i krahut të djathtë, u qëllua për vdekje të mërkurën gjatë një aktiviteti në ajër të hapur në Orem të Utah. Vrasësi i dyshuar i tij, Tyler Robinson, u arrestua të enjten në mbrëmje pasi iu dorëzua policisë. /Klankosova.tv