Kurti e nis fushatën me sulme ndaj mediave e partive të tjera: Do shpikin rrena e sajojnë shpifje

Sonte, Lëvizja Vetëvendosje e hapi zyrtarisht fushatën për zgjedhjet lokale. Lideri i kësaj partie, Albin Kurti,  mbajti një fjalim ku ndër tjerash tha se janë lodhur nga ‘’komunat dembele’’.

Ai tha edhe se në sheshin ‘’Skënderbeu’’ në Prishtinë, në të kaluarën janë mbledhur për protesta e demonstrata kundër korrupsionit e privatizimeve, dhe siç ka thënë ai, edhe kundër përpjekjeve për copëtimin e Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Kryeministri në detyrë tha edhe se LVV-ja nuk ndalet, edhe pse sipas tij në të kaluarën janë munduar ta ndalin.

Ai foli edhe për disa kundërshtarë nga partitë e tjera që janë përpjekur t’i ndajnë ata.

‘‘Në këtë shesh ku dikur jemi mbledhur për protesta e demonstrata kundër korrupsionit e privatizimeve  e kundër përpjekjeve për copëtimin e Kosovës. Gati pesë vitet e fundit qeverisim me Kosovën qartë e mirë si askush tjetër para nesh. Shpesh kundërshtarët tanë të këtyre partive me të vjetra politike janë përpjekur të na ndajnë, por ndryshimi nuk mund të ndalet. Lëvizja nuk mund të ndalojë besimi dhe vota nuk mund të mohohet. E provuan në vitin 2020, dështuan pak muaj më pas, po e provojnë edhe sivjet do të dështojnë sërish. S’na ndalin dot të nderuar qytetarë, jo pse ne të fortë, por për shkak se ne jemi të drejtë, jo pse ne jemi të ashpër, por për shkak se jemi të arsyeshëm. Duam një qeveri që punon për të gjithë. Jemi lodhur nga komunat dembele, duam komuna që sjellin zhvillim. Ka ardhur që qeverisja e mirë e kujdesshme të shtrihet edhe në nivel lokal’’, ka thënë ai.

Kurti ka sulmuar partitë e tjera, duke thënë se sipas tij, ato kudo që kanë qeverisur qoftë në qendër apo në komuna, kanë krijuar një konflikt të rrezikshëm e që është konflikti midis interesit privat dhe interesit publik.

‘‘Vetëvendosja është subjekt që ka arritur rezultatet më të larta që asnjë parti tjetër nuk e ka arritur dot. Por ka një arsye pse VV ka arritur këto rekorde historike. Partitë e vjetra, kudo që kanë qeverisur qoftë në qendër apo në komuna, kanë krijuar një konflikt të rrezikshëm – Konfliktin midis interesit privat dhe interesit publik. E kur ata drejtonin këtë konflikt e fitonte gjithmonë interesi privat i vetë atyre dhe i miqve të tyre. VV-ja ka sjell ndryshim të madh në dy aspekte. E para ne nuk nxisim konflikt mes privates dhe publikes, mendojmë se ka hapësirë të mjaftueshme që të zhvillohet edhe privatja publikja. E dyta, ne nuk e dobësojmë publiken, për të ia përmbushur dëshirat apo xhirollogarinë dikujt. Jo privatja kundër publikes, por privatja në shërbim të publikes. Ju e shihni si janë shumë nga komunat sot. Ato janë të lidhura dhe të bllokuara prej interesave private prej klaneve të caktuara. Komunat kanë mbetur bastioni i vetëm i korrupsionit kundër qeverisjes tonë të mirë. Me komunat duan të na bëjnë bllokada’’, ka thënë ai transmeton Gazeta Express.

Lideri i VV-së drejtuar të pranishmëve ka thënë edhe se sipas tij, kundër kësaj partie do të shpenzohen shumë para.

‘‘Kundër nesh do të shpenzohen  shumë para, janë ato edhe para të krimit dhe korrupsionit të viteve të kaluara, janë para të juaja të vjedhura prej atyre, janë para që ne me qeverisjen tonë kemi filluar t’i kthejmë të ju. Me para që i kanë vjedhur prej jush, ata do të blejnë emisione televizive, dhe reklama të shtrenja , do të shpikin rrena dhe do të sajojnë shpifje’’, ka shtuar ai mes tjerash. /GazetaExpress