Favorizimi Politik: Si i preferuari i Pecit sundoi pozitat e buxhetit deri te anulimi i KPMSHCK-së

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, duket se ka pasur një person të preferuar, i cili gjatë një periudhe prej gati një viti ka përfituar nga procedura jo transparente të rekrutimit në ministri. Bleron Haxhiu fillimisht u përzgjedh në listën e ngushtë për disa pozita në MBPZHR dhe më pas u emërua në pozita të larta, përfshirë atë të “Udhëheqësit të Divizionit për Buxhet dhe Financa”. Shumica e këtyre emërimeve janë shoqëruar me shkelje ligjore dhe proceduriale, të cilat u evidentuan edhe nga vendimet e mëparshme të KPMSHCK, shkruan Demokracia.com.

Në mars të vitit 2025, ministri e emëroi Haxhiun si Udhëheqës i Divizionit për Buxhet dhe Financa. Menjëherë procesi është ankimuar nga personat pjesëmarrës me pretendimin se ka pas shkelje Por, që nga ajo kohë i njëjti e ka ushtruar atë pozite.

Në konkursin fillestar, Haxhiu kishte marrë gjithsej 86.2 pikë, por vetëm 22.8 pikë nga intervista me gojë dhe 63.4 pikë nga intervista me shkrim, duke ngritur dyshime për mënyrën e vlerësimit dhe transparencën e procesit. Megjithatë, ai u shpall fitues dhe u emërua në pozitë. Për më tepër, brenda një periudhe më pak se 10 muaj, ai ishte punësuar në Agjencinë e Zhvillimit të Bujqësisë me kontratë të jashtëligjshme përmes procedurave të prokurimit, edhe pse pozita ishte e rregullt.

Pas këtyre favorizimeve të dukshme, ankuesi B.H. (Bleron Haxhiu) kishte paraqitur ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës më 27.06.2025 kundër refuzimit të aplikacionit të tij dhe shpalljes së fituesit të konkursit. Në vendimin e Këshillit, me numër protokolli 5691/2025, të datës 22.08.2025, konstatohet qartë se:

Njësia e Burimeve Njerëzore e MBPZHR me rastin e refuzimit të aplikacionit përmes Njoftimit të datës 30.04.2025 ka zbatuar gabimisht dispozitat e Rregullores Nr.15/2023 dhe Ligjit Nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë, duke refuzuar aplikacionin e ankuesit, pavarësisht se ky i fundit kishte përmbushur kriterin e përvojës së punës prej tre vitesh. Si rrjedhojë, Kolegji i Këshillit vendosi anulimin e Njoftimit nr.1627 të datës 30.04.2025 dhe të Njoftimit me numër protokolli 1953 të datës 28.05.2025 për kandidatin fitues, duke kthyer lëndën për rishqyrtim dhe rivendosje në fazën e verifikimit paraprak”.

Ky vendim tregon dy gjëra thelbësore: së pari, një person ka qëndruar në pozita të rëndësishme kundër ligjit për muaj të tërë; së dyti, mekanizmat e pavarur, si Këshilli, janë të domosdoshëm për të rikthyer rendin ligjor, edhe pse pas shumë muajsh vonesë.

Pas vendimit të Këshillit, edhe Ministria e Bujqësisë publikoi njoftimin për anulimin e njoftimeve të mëparshme:

“Anulohet Njoftimi me numër protokolli 1953 të datës 28.05.2025 për kandidatin fitues dhe Njoftimi me numër protokolli 1627 i datës 30.04.2025 për refuzimin e aplikacionit të ankuesit Bleron Haxhiu. Zbatohet vendimi për kthimin e lëndës tek çështja e rishqyrtimit dhe rivendosjes në fazën e verifikimit paraprak”

Demokracia.com kishte raportuar po ashtu se brenda një periudhe prej më pak se 10 muajsh, Bleron Haxhiu, fillimisht punësohet në Agjencinë e Zhvillimit të Bujqësisë me kontratë të jashtëligjshme përmes procedurave të prokurimit edhe pse pozita ishte e rregullt.

Kjo gjë është vërtetuar edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit për vitin 2023.

Rreth këtyre punësimeve ishte raportuar më 13 nëntor 2024, ku ministri Peci angazhoi 26 konsulentë përmes prokurimit, që buxhetit të shtetit do i kushtonin afro 500 mijë euro.

Ky ishte hapi i parë që Bleron Haxhiu do të merrte drejt “rrugës” së tij në ministrinë e udhëhequr nga Peci.

I preferuari i Pecit, më pas ia mësyu Zyrës së Prokurimit në ministri. Aty zgjedhet fitues, por sërish me shkelje ligjore të shumta çka edhe e vërteton vendimi i KPMSHCK, ku mori vendim për anulimin e procesit në tërësi.

Bleron Haxhiu vazhdon me hapa të sigurtë, më pas në Agjencinë e Zhvillimit të Bujqësisë si “Zyrtar i lartë i pagesave direkte”, në Departamentin e Pagesave Direkte, zyre kjo e cila menaxhon hiç më pak se 60 milionë euro.

“Apetitet” e të preferuarit të ministrit Peci, nuk kanë të ndalur edhe sot e kësaj dite. Edhe pas tri pozitave të pranuara brenda në më pak se një vit, shumica me shkelje ligjore edhe të konfirmuara, tashmë është emëruar “Udhëheqës për Buxhet dhe Financa” në Ministrinë e Bujqësisë.

Në vazhdimësi është raportuar rreth keqpërdorimeve, dallavereve e skandaleve që e kanë përcjellur ministrinë e udhëhequr nga Faton Peci. /Demokracia.com/

I preferuari i Pecit u avancua për herë të katërt brenda vitit, tash emërohet Udhëheqës i Divizionit për Buxhet dhe Financa