Duka: “Prania e UEFA-s këtu është një mesazh i qartë se Shqipëria është pjesë e çmuar e familjes europiane të futbollit.”. Rama: “Keni dy shtëpi tani!”

Gjatë fjalimit të tij në darkën përmbyllëse të punimeve të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Tiranë, Kreu i FSHF, Armand Duka, ka mbajtur një fjalim të gjatê duke prekur temat e futbollit, zhvillimit, Euro 2027 me U-21 dhe dëshiren e Superkupës UEFA në të ardhmen.

“I nderuar President i UEFA-s, miku im i dashur Aleks (Ceferin),

I nderuar Kryeministër i Shqipërisë, i dashur Edi (Rama),

Të nderuar anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe anëtarë të Këshillit të FIFA-s,

Të dashur miq,

Me kënaqësi dhe krenari të madhe, në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit, ju uroj mirëseardhjen të gjithëve sonte në Tiranë.

Mikpritja e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s nuk është vetëm një nder për Federatën Shqiptare të Futbollit, por edhe një moment historik për futbollin shqiptar dhe për të gjithë vendin tonë, pasi kjo është hera e parë që një takim i tillë mbahet në Shqipëri.

Duke parë pas rrugëtimin e futbollit në Shqipëri, shohim sa shumë kemi ecur përpara. Nga infrastruktura modeste dhe mundësitë e kufizuara pas shkatërrimeve të viteve ’90, falë mbështetjes së madhe të qeverisë sonë, veçanërisht të Kryeministrit tonë, si dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë në UEFA dhe FIFA, kemi ndërtuar infrastrukturë moderne. Kjo përfshin stadiumin tonë kombëtar këtu në Tiranë, i cili priti finalen e UEFA Europa Conference League në vitin 2022 dhe Kampionatin Europian U-17 të UEFA-s këtë vit.

Dua gjithashtu të falënderoj anëtarët tanë të dashur, presidentët e përkushtuar të klubeve tona dhe drejtuesit e shoqatave rajonale.

Besimi juaj, mbështetja dhe investimi në futboll kanë qenë vendimtare për rritjen tonë. Së bashku, kemi zhvilluar futbollin e bazës, kemi investuar në akademitë e të rinjve dhe kemi hapur dyert e mundësive për djem e vajza anembanë vendit.

Sot, futbolli i vajzave nuk është thjesht në rritje – ai po frymëzon një brez të ri sportistësh dhe tifozësh.

Ekipet tona kombëtare, me guxim dhe krenari, qëndrojnë tashmë lart në skenën ndërkombëtare, duke garuar me nder dhe dinjitet, duke bartur me vete shpresat dhe ëndrrat e gjithë kombit tonë.

Ndjehemi veçanërisht krenarë për përgjegjësinë që UEFA dhe Komiteti Ekzekutiv na kanë dhënë për të bashkë-organizuar Kampionatin Europian U-21 në vitin 2027 me Serbinë.

Ky do të jetë eventi më i madh i futbollit që Shqipëria ka organizuar ndonjëherë, duke shfaqur stadiumet tona, pasionin tonë dhe aftësinë për të pritur talentet më të shkëlqyer të Europës. Është gjithashtu një mundësi për të treguar se si futbolli mund të afrojë kombet dhe të frymëzojë.

Të dashur miq, i dashur President Čeferin,

Ju falënderoj sinqerisht për besimin, mbështetjen dhe bashkëpunimin me Federatën Shqiptare të Futbollit. Prania juaj këtu është një mesazh i qartë se Shqipëria është pjesë e çmuar e familjes europiane të futbollit.

Ne nuk jemi thjesht të apasionuar pas futbollit, ne jemi të uritur për të. Ne jetojmë dhe marrim frymë me lojën, dhe tashmë kemi dëshmuar aftësinë tonë për të organizuar evente të klasit botëror me rezultate të mëdha. Të mbështetur nga qeveria dhe autoritetet tona vendore, jemi plotësisht të përgatitur për të pritur evente më të mëdha në të ardhmen.

Imagjinoni, finalja e Superkupës së UEFA-s në Tiranë. Një moment jo vetëm historik, por vërtet i paharrueshëm, që do të gdhendte emrin e vendit tonë me krenari në skenën globale të futbollit.

Sonte kjo darkë nuk është vetëm për çështje zyrtare, është për miqësinë, unitetin dhe lidhjet që futbolli na ka dhënë. Pas kaq shumë vitesh në këtë lojë të bukur, kam mësuar një të vërtetë të thjeshtë: Fitoret shkëlqejnë më shumë kur ndahen, dhe sfidat ndjehen më të lehta kur përballen krah për krah. Futbolli është më shumë se një sport – është një familje, dhe sonte ne e festojmë këtë familje së bashku.

Në emër të komunitetit shqiptar të futbollit dhe në emrin tim personal, ju falënderoj thellësisht për pjesëmarrjen në këtë mbrëmje speciale. Faleminderit!”

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij gjatë darkës me drejtuesit e UEFA-s, propozoi që Shqipëria të mirëpresë finalen e Superkupës së UEFA-s në vitin 2028. Ai theksoi gatishmërinë e vendit për të pritur evente të mëdha sportive dhe ftoi përfaqësuesit e UEFA-s që të kthehen sërish në Shqipëri për aktivitete të tjera të rëndësishme futbollistike.

“Presidenti Duka foli për ambicien që kemi së bashku për ta bërë Papën të kthehet me disa prej jush për një tjetër finale, duam Superkupën.

Kështu që, le të bëjmë një marrëveshje, nëse organizojmë, nëse kemi samitin e NATO-s dhe çdo gjë shkon shumë mirë, siguria është më e lartë, ju në 2028 do të sillni finalen e Superkupës.

Besoj që është një marrëveshje e drejtë dhe jam i sigurt që në të djathtë e në të majtë të tryezës keni mbështetje për këtë ide, jo mjaftueshëm për votat, por do të punojmë, do të punojmë për këtë.

Jam vërtetë i përulur që ftohem e pranohem këtu si pjesë e mbrëmjes suaj. Politikanët ikin e vijnë, por legjenda si Luis Figo nuk ikin kurrë, dhe futbolli kurrë nuk ikën.

Kështu që ndihuni të bekuar që keni privilegjin që të përfaqësoni sportin më të dashur në botë dhe më besoni jam vërtetë i nderuar që më keni ftuar dhe që jam pjesë e kësaj mbrëmjeje dhe duhet të kuptoni që sa herë doni të ktheheni, jo zyrtarisht, por thjesht për kënaqësi, për argëtim, për relaks, apo për çfarëdo lloj arsye jeni të mirëpritur këtu, kjo është shtëpia juaj.

Ju jeni të privilegjuar, sepse ndryshe nga të tjerët keni dy shtëpi këtu, Shtëpinë e Futbollit dhe Shtëpinë e Qeverisë. Faleminderit!”

The post Duka: “Prania e UEFA-s këtu është një mesazh i qartë se Shqipëria është pjesë e çmuar e familjes europiane të futbollit.”. Rama: “Keni dy shtëpi tani!” appeared first on Telesport.