Krasniqi kritikon Presidenten Osmani: Në kulmin e krizës me SHBA-të, ajo thur lavde për veten në vend të përgjegjësisë

Në kohën kur marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë hyrë në një fazë të pashembullt të tensionimit, drejtuesi i organizatës Demokracia Plus, Albert Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit të Presidentes Vjosa Osmani pas pezullimit të Dialogut Strategjik nga SHBA-ja.

Në një postim në Facebook, Krasniqi ka kritikuar presidenten për mospërgjegjësinë dhe përqendrimin në vetëlavdërim në një moment kur, sipas tij, vendi po përjeton krizën më të thellë në raport me aleatin e tij historik, raporton lajmi.net

“Në kohën kur raportet e Kosovës me ShBA-të kanë arritur pikën më të ulët, Presidentja zgjedh të thurë lavde për veten, pa kërkuar asnjëherë përgjegjësi dhe as pa u distancuar nga ata që e sollën Kosovën në këtë gjendje,” shkruan Krasniqi.

Ai e cilëson këtë qëndrim si tregues të qartë të shkëputjes së Uashingtonit nga udhëheqësit aktualë të Kosovës, duke theksuar mungesën e një figure me të cilën SHBA mund të ndërtojë dialog të besueshëm.

“Kjo qasje është vetëm një dëshmi shtesë se pse ShBA-të kanë hequr dorë prej nesh, sepse nuk kanë më me kë të flasin,” shton ai.

Në përfundim të reagimit të tij, Krasniqi ngre alarmin për një mungesë të theksuar të udhëheqjes në Kosovë në një moment kyç për të ardhmen e vendit.

“Asnjëherë më shumë se sot, Kosova nuk ka vuajtur kaq shumë nga mungesa e lidershipit,” përfundon drejtuesi i Demokracia Plus./Lajmi.net/