Kosova ka pësuar një prej goditjeve më të rënda viteve të fundit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar dialogun strategjik me Kosovën.
Kjo është bërë e ditur në rrjete sociale.
“Shtetet e Bashkuara e kanë pezulluar për kohë të pacaktuar Dialogun e tyre të planifikuar Strategjik me Kosovën për shkak të shqetësimit rreth veprimeve të qeverisë në detyrë, të cilat i kanë rritur tensionet dhe jostabilitetin, duke e kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën për prioritetet e përbashkëta” – thuhet në komunikatën e Ambasadës Amerikane.
Ky dialog ishte incuar nga presidentja Vjosa Osmani, që muaj më parë lavdërohej me këtë proces.
Në janar të këtij vitit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte treguar se fillimin e këtij procesi e ka propozua në vitin 2021.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo kishte treguar për rendësin e këtij procesi.
“Pas propozimit që i kam dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si Presidente e Republikës qysh në vitin 2021, pastaj rikonfirmuar në qershor të vitit 2022 nëpërmjet notës verbale si dhe në takimin me Sekretarin Blinken në korrik 2022, si dhe pas një pune të jashtëzakonshme të ekipeve tona përgjatë viteve të kaluara, sot në takim me Zëvendës Sekretarin amerikan Richard Verma m’u konfirmua se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik”, kishte shkruar ajo, duke shtuar se kjo ishte një e arritur e jashtëzakonshme.
“Kjo është një e arritur e jashtëzakonshme që dëshmon se partneriteti i mirëfilltë, i bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, gjithmonë sjell rezultate. Falënderoj Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë përkrahje ndaj popullit të Kosovës dhe mezi pres ta vazhdojmë bashkëpunimin intensiv në interes të Kosovës. Ekipet tona do të takohen së shpejti për ta finalizuar marrëveshjen për Dialogun Strategjik e cila do të përfshijë fusha shumë të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës”, kishte shkruar ajo.
Çka është ky dialog?
Zëvendëssekretari i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, gjatë një vizite që kishte bërë në Kosovë në fillim të vitit, kishte paralajmëruar se dialogu strategjik mes SHBA-së dhe Kosovës do të finalizohej së shpejti. Ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ajo e cila pati njoftuar në janar për arritjen e një marrëveshjeje mes dy vendeve për një dialog të tillë.
Dialogu strategjik është një proces që Departamenti i Shtetit i SHBA-së në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.
Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj.
SHBA-ja ka zhvilluar dialog strategjik gjatë viteve të fundit me Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Rumaninë, Austrinë, Poloninë, Slloveninë, Moldavinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Katarin, Omanin, Bahrejnin, Egjiptin, etj.
SHBA-ja përfshihet në dialog strategjik jo vetëm me shtete, por edhe me organizata ose lëvizje të vendeve që ajo nuk i konsideron aleate, si Lëvizja demokratike bjelloruse e udhëhequr nga Sviatlana Tsikhanouskaya./Nacionale