Qytetarët e Kosovës po ndiejnë çdo ditë në xhepat e tyre rritjen e çmimeve. Nga energjia elektrike te ushqimet bazë, çdo sektor ka shkuar lart, ndërsa pak gjëra kanë rënë, shkruan Demokracia.com.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për Gusht 2025, sipas të cilit çmimet e konsumit kanë shënuar një rritje vjetore prej 4,5%, ndërsa krahasuar me muajin Korrik 2025, inflacioni mujor ka qenë 0,5%.
Rritja vjetore e çmimeve lidhet kryesisht me grupet që ndikojnë më shumë në xhepin e qytetarëve: energjia elektrike dhe pushimet e organizuara kanë shënuar rritje prej 17,1%, kafja, çaji dhe kakao 16,7%, pemët 16,6%, dhe mishi 12,4%. Në rritje të ndjeshme janë edhe shërbimet e transportit, perimet, vajrat dhe yndyrnat, shërbimet hoteliere, qumështi, djathi dhe vezët, si dhe shërbimet ambulantore, duke treguar se inflacioni prek pothuajse të gjithë sektorët e konsumit bazë dhe jo vetëm luksin.
Nga ana tjetër, rënie të çmimeve kanë shënuar vetëm disa kategori: biletat e fluturimeve (-7,8%), lëndët djegëse të ngurta (-4,1%) dhe karburantet për automjetet personale (-3,2%). Megjithatë, ndikimi i tyre në indeks është minimal, vetëm -0,4 për qind, duke e bërë të qartë se rritjet janë ato që dominojnë tregun.
Edhe krahas rritjes mujore prej 0,5%, ASK tregon se disa nga artikujt bazë si qumështi, djathi dhe vezët, perimet dhe karburantet kanë pësuar ngritje çmimesh, duke treguar një tendencë që pritet të vazhdojë në muajt në vijim.
Ky raport nënvizon një realitet të thjeshtë për qytetarët e Kosovës, rritja e çmimeve është e dukshme dhe preku pothuajse çdo aspekt të shpenzimeve të përditshme, ndërsa pak kategori përjetojnë ulje çmimesh dhe asnjë masë nuk duket se frenon inflacionin. /Demokracia.com/
https://ask.rks-gov.net/Releases/Details/9756