Suedia njofton 8.6 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën

Qeveria suedeze njoftoi të enjten një paketë ndihme ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 8.6 miliardë dollarësh (rreth 7.33 miliardë euro) gjatë viteve 2026 dhe 2027.

Dhe kjo ndihmë vjen ndërsa Kievi kërkon më shumë mbështetje nga aleatët e saj për t’iu kundërvënë pushtimit të Rusisë.

“Kjo thekson natyrën e qëndrueshme të mbështetjes sonë” për Kievin, ka thënë ministri i Mbrojtjes, Pal Jonson në një konferencë për shtyp.

“Në rast të një armëpushimi dhe madje edhe një marrëveshjeje paqeje, mbështetja ushtarake suedeze për Ukrainën do të mbetet e rëndësishme dhe do të vazhdojë pas një armëpushimi ose marrëveshjeje paqeje përfundimtare”, shtoi ai.

Ndihma ushtarake do të rritet në 40 miliardë korona suedeze (4.27 miliardë dollarë) çdo vit për dy vitet e ardhshme.

Ministria e Mbrojtjes zbuloi gjithashtu një paketë të re ndihme që përfshinte 18 njësi artilerie Archer me municione, dronë me rreze të gjatë veprimi, sisteme mbrojtjeje ajrore dhe pajisje mbikëqyrjeje bregdetare.

Suedia është donatori i pestë më i madh i BE-së për Ukrainën në raport me PBB-në e saj, sipas Institutit Kiel.

Ndërkohë Gjermania ka thënë se është bërë furnizuesi më i madh i ndihmës ushtarake të Ukrainës dhe tani po dërgon më shumë armë se Shtetet e Bashkuara.

Gjermania është “tani mbështetësja më e madhe” e Ukrainës, ka thënë të mërkurën ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, duke vënë në dukje se një total prej rreth 9 miliardë eurosh (10.5 miliardë dollarë) janë ndarë për këtë qëllim në buxhet.