Rrëzohet një lis në Prishtinë, bllokohet rruga përkohësisht – s’raportohet për të lënduar

Një lis është rrëzuar gjatë ditës së sotme në afërsi të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), duke shkaktuar bllokim të përkohshëm të rrugës dhe pengesa në qarkullimin rrugor.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30 në rrugën “Xhemajl Prishtina” në Prishtinë, ndërsa për fat të mirë nuk raportohet për persona të lënduar.

“Rreth orës 13:30 kemi pranuar informatën se një lis është rrëzuar në rrugën Xhemajl Prishtina. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, kurse nuk raportohet për të lënduar,” kanë konfirmuar për Tëvë1 nga Policia e Kosovës.

Menjëherë pas incidentit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e Policisë së Kosovës dhe ekipet e zjarrfikësve, të cilët janë angazhuar në largimin e pemës dhe normalizimin e situatës.

Rruga është bllokuar për disa momente, derisa ekipet kanë punuar për të pastruar hapësirën dhe për të mundësuar rifillimin e qarkullimit të automjeteve.

Deri më tani nuk dihen shkaqet e rrëzimit të pemës, por dyshohet se mund të jetë rezultat i erërave apo gjendjes së dobët të trungut.