Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka reaguar pas vrasjes së aktivistit konservator Charlie Kirk të mërkurën në mbrëmje, duke u zotuar për hakmarrje, ndërsa policia ndërmori kontrolle derë më derë në kërkim të të dyshuarit.
Kirk, bashkëthemelues i organizatës rinore Turning Point USA dhe një figurë e njohur konservatore, u qëllua ndërsa fliste për dhunën me armë në një aktivitet në kampusin e Utah.
Trump e përshkroi vdekjen e Kirk si një “moment të errët për Amerikën” në një fjalim në Zyrën Ovale dhe fajësoi “të majtën radikale” për disa raste të dhunës politike gjatë vitit të kaluar, përfshirë atentatin ndaj jetës së tij dhe vrasjen e drejtorit ekzekutiv të United Healthcare, Brian Thompson
“Administrata ime do të gjejë secilin prej atyre që kontribuan në këtë mizori dhe në dhunë tjetër politike”, tha Trump.
Ai shtoi se retorika e të majtës radikale ka krahasuar amerikanët e mrekullueshëm si Charlie me nazistët dhe vrasësit më të këqij masivë në botë, duke e quajtur këtë si shkak të drejtpërdrejtë të terrorizmit që po ndodh sot në vend.
Policia intensifikoi kërkimin për autorin e vrasjes të enjten, duke kryer kontrolle derë më derë. Dy të dyshuar janë arrestuar dhe më pas liruar, ndërsa drejtori i FBI-së, Kash Patel, njoftoi se një i paraburgosur u lirua pasi u vërtetua se nuk kishte lidhje me të shtënat.
Departamenti i Sigurisë Publike të Utah tha se sulmi ishte “i synuar”, me të dyshuarin që duket se e ka qëlluar Kirk nga çatia e një ndërtese, ndërsa ai po debatonte me një turmë të madhe poshtë./Periskopi/