Abdixhiku: LDK-ja nuk bashkëpunon me Vetëvendosjen pa reformim të saj

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar se partia që ai drejton nuk planifikon të bashkëpunojë me Vetëvendosjen në rrethanat aktuale politike.

Në një intervistë për emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Abdixhiku deklaroi se dallimet konceptuale mes dy partive janë të thella dhe se VV-ja duhet të ndryshojë qasje para çdo bashkëpunimi të mundshëm.

“Kur japim fjalë në fushatë, duhet të mbajmë fjalën. Nëse themi në fushatë, do të bashkëpunojmë me secilën parti, ashtu do të ndodhë. LDK-ja nuk do bashkëpunim me VV-në, për shkak të dallimeve konceptuale, dhe për momentin është e bindur që VV-ja jo që nuk reflekton, por është larg prej emancipimit. LDK-ja bën thirrje që VV-ja të reformohet para se të ulemi të bashkëpunojmë. Nuk mund të bashkëpunojmë me njerëz që nuk e respektojnë shtetin e Kosovës, për besë nuk mundem, nuk mundemi me bashkëpunu me dikënd që të quan bashkëpunëtor të Serbisë”, tha Abdixhiku.