Në Kozhlje të Serbisë nisin gërmimet vlerësuese – dyshohet se ka varrezë masive

Në Kozhlje të Serbisë, shumë afër kufirit të Kosovës dhe liqenit të Ujmanit, autoritetet e Kosovës kanë nisur inspektimet për të bërë vlerësimet profesionale për mundësitë e gërmimeve, poshtë një deponie të mbeturinave, në të cilën ka dyshime se mund të ketë mbetje mortore të personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Jo larg liqenit të Ujmanit, në territorin e Serbisë, në vendin e quajtur Kozhlje, autoritetet e Kosovës kanë zbarkuar në orët e mëngjesit për shkak të dyshimeve se poshtë një deponie të mbeturinave mund të jetë një varr masiv me trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Hulumtimet në këtë zonë ishin në plan të bëhen që para një viti por ishin zvarritur nga autoritetet serbe.

Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit është në terren bashkë me ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Halitin, dhe Valon Hysenin.

Inspektimet në terren për të vlerësuar mundësitë e gërmimeve janë specifike sepse bëhet fjalë për një deponi të mbeturinave në të cilën duhet të gërmohet së paku 15 metra.

Krahas kësaj, për TV Dukagjini, Gara tha se në mënyrë që të mos përsëriten situatat kur për 5 vjet nuk janë lokalizuar varrezat masive, si në rastin e varrit masiv në Rudnicë dhe 5 vite në rastin e varrit masiv në Kizhevak, duhet të ketë edhe informacione dhe të dhëna nga arkivat e institucioneve në Serbi.

Planet tjera ishin që inspektimet të nisin edhe gjatë muajve të verës, por zjarri i pamundësoi, situatë edhe kjo e pazakontë.

“Çështja e zjarrëvënies ose zjarrit masiv ka qenë po ashtu shqetësuese. Një shqetësim që është ngrit nga kryetari i Komisionit z. Hoti, përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Megjithatë në një përgjigje që kemi marrë nga pala serbe, insistohet  ose pretendohet që zjarri nuk e ka dëmtu zonën me interes. Megjithatë kjo mbetet të konfirmohet në ditët në vijim gjatë gërmimeve gjatë vlerësimeve nga ana e eskpertëve, pra cili do të mund të ishte ndikimi ose impakti i zjarrit në lokacionin në varrin masiv”, ka deklaruar Gara.

Në procesin e inspektimit dhe vlerësimit për mundësitë e gërmimeve po merr pjesë edhe një antropolog.

“Ju siguroj që do të jetë ekipa e ekspertëve mjeko-ligjorë prezentë gjatë gjithë kohës  këtu në lokacion edhe  do të përcjellim nga afër punimet ku shpresojmë shumë  që do të hasim në mbetje mortore të cilat i përkasin dikujt”, ka deklaruar Valon Hyseni – Antropolog Mjeko-Ligjor.

Krahas këtij lokacioni, në adresë të Serbisë, po presin kërkesat që punimet të nisin edhe në Batajnicë dhe 16 lokacione të tjera në të cilat dyshohet se ka ende mbetje mortore.

Nga lufta e fundit në Kosovë, përpos mbi 10 mijë civilëve të vrarë, forcat serbe zhdukën mijëra të tjerë, dhe sot e asaj dite, 1584 persona ende mbeten të zhdukur.