Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar për herë të parë lidhur me incidentin e dronëve që shkelën hapësirën ajrore të Polonisë.
Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, ai shkroi:
“Ç’është kjo punë me Rusinë që po shkel hapësirën ajrore të Polonisë me dronë? Here we go!”
Sipas “SkyNews”, kuptimi i plotë i këtij komenti mbetet i paqartë, megjithatë tha se pritet që Trump të shpjegojë më shumë gjatë ditës.
Edhe “The Guardian” nuk ka mundur t’i gjejë kuptim frazës “Here we go”.
“Presidenti amerikan, Donald Trump, ka postuar reagimin e tij të parë ndaj inkursionit rus në hapësirën ajrore të Polonisë mbrëmë, duke thënë në Truth Social: ‘Ç’është kjo punë me Rusinë që po shkel hapësirën ajrore të Polonisë me dronë? Here we go!’. (Mos më detyroni t’ia qëlloj se çka nënkupton kjo, ju lutem”, shkroi “Guardian”.
Ndërkaq, Klankosova.tv ka hulumtuar për të gjetur një kuptim në kontekstin e përdorur nga presidenti Trump, por ka ardhur deri te disa të tilla, që nuk do të thotë se janë të vetmet të mundshme:
“Ja ku jemi!”
“Po fillon!”
“Erdhi puna deri këtu!”
“Tani fillon loja!” (me ton më ironik)
Më herët gjatë së mërkurës, ambasadori amerikan në NATO theksoi se ShBA do të mbrojë “çdo centimetër të territorit të NATO-s”, një deklaratë që shihet si qetësuese për shtetet evropiane anëtare të Aleancës, pas dyshimeve të përsëritura mbi përkushtimin e Trumpit ndaj NATO-s.