Gjykata Themelore në Gjakovë, ka bërë të ditur se ia ka caktuar një muaj paraburgim ndaj G.B, i cili dyshohet për “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Në kërkesën e Prokurorisë, ceket se “ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet G.B., shtetas i Republikës së Shqipërisë, më datë 08.09.2025 rreth orës 17:55, në fshatin Ponoshec, Komuna e Gjakovës, pa autorizim dhe me qëllim të shitjes ka transportuar substanca apo preparate të cilat me ligj janë shpallur si narkotikë, substanca psikotrope ose analoge, në atë mënyrë që patrulla e policisë kufitare nga SPMK-Ponoshec, gjatë patrullimit kanë ndalur veturën me targa …., të cilin po e drejtonte i pandehuri i cili kishte ardhur nga Republika e Shqipërisë dhe pas ndaljes se automjetit gjatë komunikimit me shoferin është ndier një aromë e dyshuar për narkotik, fillimisht është pyetur i pandehuri se a ka diçka ilegale në veturë, i njëjti është përgjigjur se jo, ndërsa gjatë kontrollit të automjetit nën asistimin edhe të zyrtarëve policor të Njësisë K9 brenda në automjet janë gjetur dy qese narkotiku e dyshuar të llojit marihuanë të fshehura në bagazhin e automjetit në peshë prej 1kg e 048 gram dhe një qese e vogël e fshehur nën plastikën e fshesave të automjetit në peshë prej 1.77 gram, sasia e narkotikut, automjeti, 246 Euro dhe 5,000 lekë shqiptare janë sekuestruar nga zyrtarët policor”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake Drilon Haraçia, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehuri në fjalë, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehuri në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale dhe rreziku i ikjes. I pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 8 shtator 2025 dhe do të zgjasë deri më 7 tetor 2025. Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e kësaj gjykate transmeton Klankosova.tv.