Dyshime për varr masiv, nesër inspektime në një lokacion afër Novi Pazarit

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se nesër në ora 10:00, në fshatin në fshatin Kozhle,  afër Novi Pazarit, do të zhvillohen inspektime në terren, në kuptim të vlerësimit të lokacionit, për shkak të dyshimeve për ekzistencën e një varri masiv.

Sipas këtij komisioni, ky zhvillim vjen si rezultat i kërkesave të vazhdueshme në kuadër të takimeve të delegacioneve dhe dialogut për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“Theksojmë se ky rast ka qenë i planifikuar të trajtohej edhe vitin e kaluar, por pas disa ditësh përgatitje terreni, gërmimet ishin ndërprerë.  Lokacioni në Kozhle është një nga lokacionet e adresuara në mënyrë të përsëritur gjatë takimeve zyrtare, krahas kërkesave të vazhdueshme për rikthim me prioritet në Batajnicë dhe lokacionet e tjera tashmë të shënjuara”, thuhet në njoftim.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur tha se kërkesë e përsëritur e tyre mbetet që gërmimet në terren duhet të shoqërohen me të dhënat nga arkivat përkatëse të institucioneve të Serbisë, të cilat siç thuhet në njoftim, do të ndihmonin në saktësimin e lokacionit të varrit masiv dhe në sigurimin e provave të nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit.

“Vlerësimet në terren në këtë lokacion, do të përcillen edhe nga përfaqësues të Delegacionit të Republikës së Kosovës, përkatësisht Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Institutit për Mjekësi Ligjore”.

“Dhimbja e familjeve që prej më shumë se dy dekadash presin një përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre është plagë e hapur e shoqërisë sonë. Çdo hap drejt zbardhjes së së vërtetës është hap drejt drejtësisë, drejt paqes së munguar dhe dinjitetit njerëzor. Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur do të vazhdojë të punojë me përkushtim dhe këmbëngulje, deri në zbardhjen e plotë të fatit të secilit person të zhdukur”, thuhet tutje në njoftim.