Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka reaguar ndaj letrës së dërguar nga Presidentja Vjosa Osmani në adresë të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si një deklaratë të fuqishme politike, por me argumentim të dobët kushtetues dhe juridik.
Sipas Miftarajt, kjo letër, në aspektin politik, do të ishte më e përshtatshme sikur t’i drejtohej përfaqësive diplomatike në Kosovë dhe jo institucionit më të lartë të drejtësisë kushtetuese në vend.
“Fatkeqësisht, me argumentim të dobët kushtetues dhe juridik,” shkruan Miftaraj në një postim në rrjetet sociale.
“Politikisht do të ishte korrekte nëse kjo letër do t’u drejtohej përfaqësive diplomatike në Kosovë, duke mbrojtur qëndrimin e saj lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.”
Ai theksoi se Gjykata Kushtetuese nuk mund të marrë vendime të bazuara në deklarata politike apo udhëzime që nuk kanë vlerë ligjore apo kushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese nuk mund të bazojë aktgjykimin në deklarata politike dhe udhëzime pa ndonjë vlerë apo argument kushtetues dhe juridik,” shtoi ai.
Miftaraj gjithashtu vë në pah një mospërputhje në qëndrimet publike dhe ato të mbajtura në takime me ambasadorë, duke e cilësuar këtë si të pazakontë për një president.
“Është e pazakontë që në takime me ambasadorë të mbahet qëndrim neutral, kurse në konferenca për media qëndrim tjetër,” përfundoi ai.