Publicisti Veton Surroi, ka komentuar situatën e fundit me çështjen e nënkryetarit serb të Kuvendit, që është dërguar në Gjykatë Kushtetuese.
Surroi ka thënë se kjo pozitë, i takon komunitetit serb, dhe e njëjta duhet të përmbushet.
Postimi:
1. Komuniteti serb ka të drejtë të ketë përfaqësim në Kryesinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës me postin e nënkryetarit. Kjo e drejtë nuk u JEPET, është e drejtë që u PËRKET.
2. Komuniteti serb ka propozuar, nëpërmjet të dy subjekteve politike e në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, kandidatët për nënkryetar.
3. Shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës nuk e ka zgjedhur asnjërin prej kandidatëve.
4. Komuniteti serb nuk ka bllokuar, nuk ka vënë veto e as ka penguar konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Me propozimet e veta i ka dhënë mundësi shumicës që ta bëjë zgjedhjen e tërësisë së Kryesisë së Kuvendit.
5. Shumica nuk e ka zgjedhur asnjë kandidat të propozuar nga dy subjektet politike që përfaqësojnë komunitetin serb. Kështu ka penguar kompletimin e Kryesisë së Kuvendit dhe njëkohësisht përmbushjen e një të drejte kushtetuese të komunitetit serb.
6. Kjo e drejtë kushtetuese e komunitetit serb duhet të përmbushet.