INDEP: Kosova në kufi të varfërisë energjetike, për shkak të shtrenjtimit të rrymës

Kosova është në kufi të varfërisë energjetike, për shkak të shtrenjtimit të rrymës”, vlerësoi drejtori ekzekutiv i Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), Burim Ejupi, në tryezën e diskutimit në kuadër të projektit “Varfëria energjetike në Kosovë II’, të organizuar nga INDEP-i.

“Nëse tarifat e energjisë elektrike vazhdojnë të shtrenjtohen, ndërsa pagat mbesin të pandryshuara, vendi mund të përballet me nivelin e varfërisë energjetike të vitit 2007”, tha Ejupi.

Ndërsa, Besiana Qorraj- Berisha nga Ministria e Ekonomisë tha se roli i tyre është hartimi i politikave dhe baza e bashkësive të energjisë.

“Strategjia e Energjisë së Republikës së Kosovës për periudhën 2022–2031 përfshin ndër objektivat kyç promovimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme”, tha Qorraj- Berisha.

Përfaqësuesi i Heinrich-Böll-Stiftung, Granit Gashi tha se qëllimi i tyre është të shtyhen përpara kornizat të cilat do të mundësonin tranzicionin energjetik për Kosovën.

Kurse, ekspertja për zhvillim të kapaciteteve, Lindita Daija, tha se në aspektin e legjislacionit, Kosova tashmë është në një stad të avancuar.

“Megjithatë, mbetet ende punë për t’u bërë në legjislacionin sekondar, veçanërisht sa i përket organizimit të komiteteve dhe përcaktimit të hapave më konkretë për mënyrën se si duhet të zhvillohet ky organizim”, tha Daija.

Ekspertja e burimeve të energjisë, Zanfina Kabashi, tha se Kosova ka potencial për shumë lloje të burimeve të energjisë së ripërtritshme.

Në raportin e publikuar nga INDEP me temën “Komunitetet e energjisë dhe varfëria energjetike në Kosovë” vlerësohet se Kosova ndodhet në një moment kritik, pa rregullore të qarta dhe mekanizma financiarë, komunitetet e energjisë rrezikojnë të mbeten në letër.

Në këtë raport paraqiten disa rekomandime, ndër to që Ministria e Ekonomisë dhe Zyra e Rregullatorit për Energji të themelojnë brenda gjashtë muajve një grup të përbashkët pune, i cili do të ketë për detyrë plotësimin e bazës ligjore për komunitetet e energjisë.

Ky proces nuk kufizohet vetëm në miratimin e akteve nënligjore që rrjedhin nga Ligji për Burimet e Ripërtritshme të Energjisë dhe nga rregulloret e ZRRE-së për skemat mbështetëse, por përfshin edhe amendamentimin e ligjeve ekzistuese.

Tjetër rekomandim është që Ministria e Ekonomisë, në bashkëpunim me institucionet tjera duhet të miratojë brenda 12 muajve një Program Kombëtar për Decentralizimin e Prodhimit të Energjisë, ku komunitetet e energjisë të kenë rol qendror.

“ZRRE dhe KOSTT duhet të publikojnë brenda 18 muajve një hartë kombëtare që përfshin: kapacitetet e rrjetit (LV/MV), afërsinë me nënstacione, pikat e ngarkesës, kufizimet teknike dhe shpërndarjen territoriale të varfërisë energjetike”, thuhet veç të tjerash në këto rekomandime.