Izraeli urdhëroi shembjen e shtëpive në qytetet e lindjes së dy palestinezëve të armatosur që sulmuan një stacion autobusi në Jerusalem, dhe do të revokojë lejet e punës për qindra bashkëfshatarë dhe të afërm të tyre.
Izraeli urdhëroi shembjen e shtëpive në qytetet e lindjes së dy palestinezëve të armatosur që sulmuan një stacion autobusi në Jerusalem, dhe do të revokojë lejet e punës për qindra bashkëfshatarë dhe të afërm të tyre.
Personat e armatosur, nga qytetet Qatanna dhe Qubeiba në veri të Jerusalemit në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, hapën zjarr në një stacion autobusi në periferi të Jerusalemit të hënën, duke vrarë gjashtë persona.
Në një deklaratë, Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se kishte urdhëruar vendosjen e sanksioneve ndaj anëtarëve të familjeve të sulmuesve dhe banorëve të dy fshatrave.
Çdo strukturë që ishte ndërtuar pa leje në të dy qytetet do të shembet dhe 750 njerëzve do t’u hiqet leja për të punuar në Izrael, burimi kryesor i të ardhurave për shumë familje palestineze.
Izraeli thotë se shembja e shtëpive të të afërmve të sulmuesve dhe bashkëfshatarëve të tyre është një pengesë për sulmet e ardhshme.
Palestinezët dhe grupet e të drejtave të njeriut e konsiderojnë këtë praktikë një formë të ndëshkimit kolektiv, të ndaluar nga e drejta ndërkombëtare.
Të dy personat e armatosur u vranë në vendin e sulmit të së hënës.
Policia tha se kishte arrestuar një banor të Jerusalemit Lindor me dyshimin se “ka ndihmuar terroristët të arrijnë në vendngjarje” dhe po vazhdonte kërkimin për të gjithë ata që ishin përfshirë në sulm.
Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, tha se pas sulmit, ai po zgjeronte një listë të komuniteteve ku izraelitët kanë të drejtë të marrin licenca për të mbajtur armë.
“Në sulmin e tmerrshëm, u provua përsëri se armët e zjarrit shpëtojnë jetë, kur dy civilë të armatosur, të cilët kishin marrë armë sipas reformës që po udhëheqim, neutralizuan … terroristët”, tha ai.