Luksemburgu ofron mbështetje financiare prej 1 milion eurosh për bizneset e vogla, të mesme dhe të mëdha në Kosovë, duke synuar nxitjen e përdorimit të energjisë së pastër dhe përmirësimin e efikasitetit energjetik në sektorin prodhues në Kosovë.
Ministria e Ekonomisë, në bashkëpunim me Agjencinë e Zhvillimit të Luksemburgut (LuxDev) dhe mbështetjen e ambasadorit të Luksemburgut në Prishtinë, Eric Dietz, ka nënshkruar marrëveshje për zbatimin e Skemës së Granteve për Energji të Pastër.
Kjo skemë synon të ofrojë mbështetje financiare prej 1 milion eurosh për ndërmarrjet prodhuese në Kosovë, duke nxitur efiçiencën energjetike dhe uljen e kostove të energjisë. Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksoi se programi do të jetë i hapur për të gjitha ndërmarrjet prodhuese – nga prodhuesit e vegjël e deri tek ata të mëdhenj që operojnë në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike.
Kjo përfshin grante deri në 25 mijë euro për sisteme solare për prodhim të energjisë, sisteme solare për ngrohje të ujit, bateri për ruajtjen e energjisë elektrike, izolim të ndërtesave dhe pajisje që ulin konsumin e energjisë elektrike në linjat e prodhimit.
Kosova dhe Luksemburgu ranë dakord të forcojnë bashkëpunimin bilateral përmes nënshkrimit të një memorandumi të ri bashkëpunimi në vlerë 50 milionë euro në korrik të këtij viti për periudhën 2026-2030, të cilat do të mbështesin veçanërisht trajnimin profesional, zhvillimin ekonomik, dixhitalizimin dhe tranzicionin energjetik.