Ymeri: VV përdor standard të dyfishtë ndaj Gjykatës Kushtetuese

Analisti politik, Visar Ymeri, ka deklaruar se sulmet e Vetëvendosjes ndaj Gjykatës Kushtetuese janë të pavërteta, të dëmshme dhe të rrezikshme, pasi e minojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe besimin e qytetarëve në institucionet e Kosovës.

Në një prononcim për Ekonomia Online, Ymeri ka theksuar se Vetëvendosja përdor një standard të dyfishtë ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke e kritikuar kur vendimet nuk i përshtaten dhe duke e lavdëruar kur i shërbejnë.

“Kjo është bërë si një farë norme që kemi parë dhe po e vërejmë secili që LVV-ja qëndrimin karshi Gjykatave në përgjithësi, përfshirë asaj kushtetuese, ka kogja shumë të ndikuara nga ajo nëse i pëlqen vendimi ose jo. Kur nuk i pëlqen vendimi thotë se kjo Gjykatë është hije e opozitës, e po i shërben Serbisë e 100 mijë akuza të tjera. Ndërkohë se kur i pëlqen vendimi e lavdëron. Për shembull ishte përbërja e njëjët e Gjykatës Kushtetuese që ia kishte shkurtuar mandatin qeverisë Hoti dhe ia kishte krijuar një farë mënyre mundësinë Kurtit që ta formojë qeverinë i vetëm herën e kaluar pa bashkëpunim me partitë e tjera. Në këtë drejtim mendoj se këto janë të pavërteta, si sulme janë shumë të dëmshme dhe të rrezikshme sepse po e ndikon kredibilitetin e Gjykatës Kushtetuese në përgjithësi”, tha ai.