Tenderi për rregullimin e sallave sportive në komunën e Shtimes po ngre dyshime për favorizim dhe kufizim të konkurrencës. Dosja e këtij aktiviteti të prokurimit është kontestuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit- OSHP, me pretendime se kriteret teknike janë përtej nevojës dhe të bëra sipas masës së një operatori, shkruan Demokracia.com.
Kompania TRIANGLE SH.P.K nga Suhareka ka dorëzuar ankesë pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) kundër tenderit të Komunës së Shtimes për “Rregullimin e sallave sportive të shkollave në Muzeqinë dhe Carralevë”. Tenderi, që kap vlera prej 68 mijë euro të buxhetin komunal, është kontestuar me arsyetimin se kriteret e dosjes së tenderit janë të panevojshme, të paarsyeshme dhe kufizuese për konkurrencën e lirë.
Në ankesën e dorëzuar, TRIANGLE liston një varg shkeljesh të mundshme të Ligjit për Prokurimin Publik, duke theksuar se Komuna ka vendosur specifika teknike të cilat nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me natyrën e projektit. Sipas tyre, kjo praktikë bie ndesh me parimet themelore të barazisë në trajtim dhe mosdiskriminimit.
Pikat kryesore të ankesës
Në mesin e kritereve që konsiderohen diskriminuese dhe të kurdisura “për dikë të caktuar”, kompania përmend:
Punëtorë të certifikuar sipas standardeve të FIBA-s: Komuna ka kërkuar dy punëtorë të certifikuar nga Federata Ndërkombëtare e Basketbollit, megjithëse sallat në fjalë (505 m² dhe 422 m²) nuk arrijnë as minimumin prej 608 m² për t’u klasifikuar si fusha FIBA. TRIANGLE argumenton se ky kriter është i pajustifikuar dhe eliminon operatorët që nuk kanë certifikata të tilla, edhe pse aftësia e tyre teknike për punimet është e mjaftueshme.
Autokorpë mbi 15 metra me teste A: Një kërkesë tjetër e kontestuar lidhet me makineritë, ku është kërkuar autokorpë me lartësi mbi 15 metra. Kompania ankuese thekson se lartësia e sallave sportive është vetëm 10 metra, prandaj ky kriter është jo vetëm i panevojshëm, por edhe pengesë artificiale që favorizon pak kompani.
Lugë ngarkuese me fuqi mbi 45 kË: Edhe ky kriter shihet si i tepërt për natyrën e projektit. TRIANGLE vlerëson se për punimet e planifikuara nuk është e domosdoshme një pajisje e tillë e fuqishme, pasi transporti i materialeve mund të realizohet me mjete më të thjeshta.
Certifikata EN 651 për dysheme: Një tjetër kontestim ka të bëjë me standardin e kërkuar për dyshemetë sportive. Sipas kompanisë, EN 651 i referohet mbulesave PVC dhe jo dyshemeve të tilla siç janë paraparë në projekt. Për më tepër, në këtë pikë janë kërkuar edhe pesë punëtorë, të cilët janë përmendur edhe në një kriter tjetër, duke krijuar mbivendosje dhe konfuzion.
Në ankesë, kompania pretendon se këto specifika janë vendosur me qëllim për të kufizuar pjesëmarrjen dhe për të favorizuar një operator të identifikueshëm në treg. “Këto kritere nuk kanë lidhje me natyrën e projektit, janë në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik dhe e eliminojnë konkurrencën e drejtë”, thuhet në dokumentin e dorëzuar në OSHP.
Tani mbetet në dorën e panelit shqyrtues të OSHP-së që të vendosë nëse këto kritere do të mbeten siç janë, apo do të urdhërohet korrigjimi dhe ripublikimi i tenderit. Nëse ankesa del e bazuar, tenderi mund të rikthehet në pikën zero, duke i dhënë mundësi edhe operatorëve të tjerë të marrin pjesë.
Ky rast është vetëm një nga shembujt ku kompanitë ndihen të diskriminuara nga specifikimet e ngushta teknike, një fenomen i përsëritur në tenderët publikë në Kosovë, që shpesh ngre dyshime për favorizim dhe mungesë transparence.
Fillmishtë për kritere diskimunuese në këtë tender ishte ankuar kompania “Bashkim Hamidi B.I”. Por, ankesën e saj e ka hedhur poshtë si të jashtëfatshme OSHP-ja. Kompania ankuese pretendonte se Komuna e Shtimes ka vendosur kritere teknike që shkojnë përtej nevojave reale të kontratës dhe që kufizojnë konkurrencën.
- Kërkesa për makineri të rënda me tonazh të caktuar
Për shembull, eskavator 8–10 ton, cilinder 2–3 ton, kamion kiper me vinç dhe korpe specifike etj.
Këto janë kriteret tipike që shpeshherë operatorët i kontestojnë, sepse LPP kërkon që kriteret të jenë proporcionale dhe të lidhura drejtpërdrejt me natyrën e projektit. Nëse objekti është “rregullim i sallave sportive” (dhe jo ndërtim i madh infrastrukturor), atëherë kërkesa për makineri të tilla mund të shihet si tepricë dhe diskriminuese.
Neni 7 i LPP – Barazia dhe mosdiskriminimi
Nëse vetëm një ose pak kompani në treg i kanë këto makineri me specifika kaq të ngushta, atëherë kriteret realisht eliminojnë konkurrencën dhe e bëjnë tenderin të duket i dizajnuar për një operator të caktuar.
Kërkesa për LED sinjalizues dhe pajisje shtesë
Këto janë gjëra që mund të kërkohen, por jo në formë të detyrueshme nëse nuk lidhen domosdoshmërisht me sigurinë e projektit. OSHP shpesh i heq si kritere të panevojshme.
Ky tender, është duke u shqyrtuar nga një ekspertë i OSHP-së, i cili më pas do ia dërgojë raportin Panelit. /Demokracia.com/