Në Kosovën e bllokuar për t’iu kundërvënë krizave nga deputetët e legjislaturës së nëntë, lajmet e këqija janë shndërruar në realitet pothuajse të përditshëm. Termi që na ndjek këmba-këmbës është: Shtrenjtimi – dhe ai i domosdoshmërive më bazike; faturat e energjisë të fyera dhe shporta ushqimore që shndërrohet dita-ditës në një barrë gjithnjë e më të pakapërcyeshme për qytetarin e zakonshëm.
Pas rritjes së fundit, fatura e energjisë nuk ishte e vetmja që u trash; çmimet u rritën gradualisht edhe në shumë produkte të tjera të konsumit të përditshëm.
Në prill 2025, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) autorizoi një rritje mesatare rreth 16 për qind të tarifave të energjisë elektrike. “Rritja mesatare e tarifës për të gjitha kategoritë e konsumatorëve bazuar në të Ardhurat Maksimale të Lejuara është rreth 16 përqind”, kishte shpjeguar ZRRE në një deklaratë në Facebook.
Vetëm katër muaj më pas, kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, paralajmëroi se mund të ketë një rritje tjetër, duke e bazuar këtë në “rritjen e fatkeqe të konsumit” dhe tejkalimin e parashikimeve për koston e importit.
“Fatkeqësisht kemi rritje tek një kategori e madhe e konsumatorëve rritje të konsumit edhe ashtu kemi edhe tejkalim të parashikimit të kostos së importit në raport me vlerësimet apo parashikimet që kemi pas gjatë shqyrtimit të procesit tarifor të gjithë të licencuarit tanë i kanë tejkaluar koston e blerjes së energjisë për periudhën që po diskutojmë deri më tani në raport me atë që është parashikuar meqenëse çmimet e energjisë në tregjet regjionale janë realizuar edhe sasia edhe çmimi është më i lartë që është parashikuar gjatë procesit tarifor të vitit të kaluar procesi tarifor ka nis në dhjetor dhe është përmbyllur në mes të prillit”.
Fejzullahu njoftoi se shqyrtimi i ardhshëm tarifor pritet në dhjetor të këtij viti, ndërsa vendimi do të varet nga kostoja reale e sistemit.
“Ekziston mundësia ne mund të themi që ajo do të jetë shqyrtimi i ardhshëm tarifor në dhjetor të këtij viti pastaj do të shikojmë stafi i ZRRE-së do t’i shikoj kostos e sistemit varet se sa është kosto e sistemit do ketë mundësi edhe të rritjes, por nuk përjashtohet mundësia edhe e zbritjes në rast kursimeve….Jo domosdoshmëritë në mënyrë arbitrate të kemi rritje dhe zbritje ato varen nga kosto e sistemit”, deklaroi Fejzullahu.
Në atë kohë, ekspertët ekonomikë vlerësuan se ky trend rritës dëshmoi saktësinë e paralajmërimeve të tyre: rritja e çmimeve, apo edhe pritshmëritë për shtrenjtim, kanë udhëhequr një cikël të ri të ngritjes së kostos së produkteve bazë.
“Të dhënat e ASK-së për ndryshimin vjetor të çmimeve në bazë mujore kanë filluar ta tregojnë atë që e kemi ditur e thënë më herët: pritjet për rritjen e çmimeve mund të ndikojnë vetë në rritjen e çmimeve.” – kishe shkruar eksperti i ekonomisë, Edison Jakurti, në një postim në Facebook.
Inflacioni u rrit nga 1.7 për qind në shkurt në 2.9 për qind në mars – niveli më i lartë i regjistruar që prej nëntorit 2023. Rritja është edhe më e theksuar në kategorinë e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike.
Paralajmërim të ngjashëm kishte bërë edhe njohësi i ekonomisë, Shenoll Muharremi, duke analizuar trendet e rritjes së energjisë, çmimeve të ushqimit dhe inflacionit në periudhën 2020-2025 në Kosovë.
Në krahasimet e bëra, Muharremi arriti në përfundimin se “rritja e tarifave të rrymës do të shkaktojë një valë të re inflacioni”, çka aktualisht të dhënat e ASK-së sugjerojnë atë drejtim.
Energjia elektrike, ushqimi dhe pijet joalkoolike, sipas ASK-së, janë motori kryesor: +9,2 për qind vjetore në korrik. Brenda kësaj, “kafe, çaj dhe kakao” ka shënuar rritje të dyshifërt të qëndrueshme (+16,9 për qind korrik), ashtu si mishi (+12,7 për qind), pemët (+12,3 për qind) dhe perimet (+10,7 për qind). Me peshë më të lartën në shportë, kjo kategori ka dhënë pjesën luanit në total.