Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pas publikimit të komunikimit në seancën e mbyllur mes ish-presidentit Hashim Thaçi, trupit gjykues dhe prokurorit John Devaney.
OVL thotë se fakti që Devaney deri dje ishte gardian i thjeshtë në paraburgim, ndërsa sot është ngritur në pozitën e prokurorit që ndjek ish-udhëheqësit e UÇK-së, përbën një “skandal të pashembullt në drejtësi”.
“Një transformim i tillë i shpejtë dhe i dyshimtë është dëshmi e qartë se procesi kundër udhëheqësve të UÇK-së po zhvillohet në kushte të padrejta, të njëanshme dhe fyese për popullin e Kosovës”, thuhet në reagim.
Veteranët e luftës e konsiderojnë këtë si “poshtërim të drejtësisë ndërkombëtare” dhe paralajmërojnë se nuk do të heshtin.
“Përkundrazi, kjo është edhe një arsye më shumë për të protestuar me dinjitet dhe vendosmëri në Hagë, më 14 shtator, ora 14:00, për të kërkuar drejtësi të vërtetë për luftën tonë çlirimtare dhe për udhëheqësit tanë”, thuhet në reagimin e OVL-së.