Komuna e Alban Hysenit me shkelje ligjore në dhënien dhe menaxhimin e pronave publike

ZKA ka gjetur shkelje në procesin e dhënies dhe menaxhimit të pronës publike në tetë komuna. Në mesin e tyre është edhe komuna e Gjilanit që udhëhiqet nga Alban Hyseni i VV-së. Aty u bën një serë shkeljesh. Prandaj edhe i është rekomanduar kryetarit që të sigurojë një proces objektiv, transparent.

 

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur shkelje në tetë auditime që lidhen me temën “Dhënia në shfrytëzim dhe menaxhimi i pronave komunale të dhëna me qira”.

Gjetjet përfshijnë komunat e Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Gjilanit, Podujevës, Suharekës, Fushë Kosovës dhe Vushtrrisë, shkruan Insajderi.

Çka thuhet në raport për Komunën e Gjilanit?

Raporti i ZKA, ka konstatuar se Komuna e Gjilanit nuk ka arritur të ruajë dhe të rrisë vlerën e pronave të dhëna me qira, ndërsa mbi 95% e mostrave të testuara kanë rezultuar me parregullsi.

ZKA thekson se:

  • Kryetari i Komunës nuk ka paraqitur raport në Kuvendin Komunal për monitorimin e kontratave;
  • Lokalet afariste janë dhënë me qira që nga viti 2014 pa procedura ligjore dhe me kontrata të pacaktuara, në kundërshtim me ligjin;
  • Në disa ankande publike nuk janë bërë njoftimet e detyrueshme, duke cenuar transparencën.

Gjithashtu, komuna nuk ka regjistra të plotë financiarë për kontratat e qirasë.

Komuna nuk kishte siguruar mekanizëm për monitorimin e kontratave dhe nuk kishte aplikuar kartela të rregullta financiare që përfshin faturimin dhe inkasimin sipas kushteve kontraktuale. Komuna posedonte një bazë të të dhënave në word, por ajo nuk ofronte sigurinë që janë bërë faturimet e rregullta, pagesat nga ana e qiramarrësve sipas kushteve të kontratave, dhe evidencat e sakta për to“.

Në 30 raste të testuara, shfrytëzuesit nuk kanë respektuar obligimet kontraktuale për pagesa, përfshirë një borxh prej 27,284 euro nga shfrytëzimi i parkingjeve, për të cilin komuna nuk ka ndërmarrë masa për arkëtim.

Auditimi ka evidentuar edhe problematika të vjetra me pronat e uzurpuara pasluftës.

Sipas regjistrit të komunës të vitit 2019, janë të evidentuara 114 prona të uzurpuara.

Gjatë auditimit u gjetën edhe dy prona të tjera të shfrytëzuara nga parti politike, për të cilat komuna nuk posedon dokumentacion dhe nuk arkëton asnjë të hyrë.

Kemi identifikuar që komuna ka prona të uzurpuara nga uzurpator që nga paslufta. Sipas një regjistri të komunës të datës 16.05.2019 janë 114 prona të uzurpuara, por ky regjistër nuk është i plotë, pasi gjatë auditimit kemi gjetur se dy prona shfrytëzohen nga dy parti politike dhe për këtë komuna përveç fletave poseduese nuk ka asnjë dokument apo informacion për mënyrë se si shfrytëzohen ato as nuk arkëton asnjë të hyrë“, thuhet në raport.

ZKA konkludon se mangësitë serioze në administrimin, monitorimin dhe arkëtimin e të hyrave nga pronat komunale tregojnë për dobësi të theksuara të Komunës së Gjilanit në menaxhimin e pasurisë publike dhe rrezikojnë interesin publik.

Konkluzionet e ZKA

ZKA ka konstatuar se komuna nuk ka qenë në pajtueshmëri me ligjin për dhënien në shfrytëzim të pronës publike dhe menaxhimin e kontratave të qiradhënies, shkruan Insajderi.

Sipas raportit, mungesa e veprimeve të duhura ka bërë që komuna të japë prona në shfrytëzim pa aprovim nga Kuvendi Komunal dhe pa konkurrencë, duke cenuar transparencën dhe ligjshmërinë.

ZKA ka evidentuar se komuna nuk ka marrë masa të mjaftueshme për të ruajtur dhe mbrojtur pronën publike.

Aktualisht, janë të identifikuara 114 prona të uzurpuara, ndërsa gjatë auditimit u zbuluan edhe dy prona të tjera të paadministruara dhe pa të hyra të mbledhura nga to. Kjo, sipas raportit, ka çuar në humbje të të hyrave për buxhetin komunal.

Prandaj ZKA i ka rekomanduar kryetarit Hyseni që të sigurojë një proces objektiv, transparent dhe efikas duke publikuar njoftimin publik dhe njoftimet për përfituesit e ankandeve publike, vendosjen e kontrolleve efektive për monitorimin e pronave komunale të dhëna në shfrytëzim, për qiramarrësit të cilët nuk përmbushin kushtet e kontratës të marrë veprimet e nevojshme ligjore, të ndërmerren veprime konkrete në kthimin e të gjitha pronave komunale.