Zhegrova te Juventusi, por pse nuk ka luajtur asnjë ndeshje prej dhjetorit të vitit të kaluar?!

Edon Zhegrova ka mbërritur te Juventusi, ku do të kryejë vizitat mjekësore para firmosjes së kontratës 3-vjeçare. Marrëveshja me Lille është vlerësuar rreth 20 milionë euro, plus 5 milionë bonuse, duke lejuar Tudor dhe bardhezinjtë të përforcojnë sulmin me një lojtar që mund të aktivizohet si në të djathtë, ashtu edhe në të majtë. Ylli i kombëtares dardane sjell shpejtësi, kreativitet dhe teknikë.

Po si vjen lojtari i lindur më 1999 te “Zonja e Vjetër”, në çfarë gjendjeje? Rikthimi i tij pas një periudhe të gjatë mungese ka pasur sfidat e veta. Ndeshja e tij e fundit daton më 14 dhjetor 2024, ku pubalgjia e detyroi të kryente operacion dhe të humbiste pjesën më të madhe të sezonit të kaluar.

Pas stërvitjeve me ekipin rezervë dhe disa problemeve fizike këtë sezon, Zhegrova është gati për një fillim të ri te bardhezinjtë. Pushimi për kombëtaret do t’i japë mundësinë të lidhet më mirë me filozofinë e Igor Tudor dhe të rifitojë ritmin e lojës, duke lënë pas sfidat fizike të kaluarës.

The post Zhegrova te Juventusi, por pse nuk ka luajtur asnjë ndeshje prej dhjetorit të vitit të kaluar?! appeared first on Telesport.