Real Madridi mposhti 2-1 Mallorca në “Santiago Bernabéu”, në javën e tretë të La Liga-s, në një ndeshje që shënoi rikthimin e Vinicius Junior në formacionin titullar. Braziliani realizoi edhe golin e parë të tij për këtë sezon, të cilin e shoqëroi me një festim të veçantë.
Pas golit, sulmuesi bëri një gjest me duar, që ngjante si goditje me raketë. Vetë Vinicius sqaroi më pas se ishte një “raketë” padeli, në nder të mikut dhe kampionit spanjoll të këtij sporti, Juan Lebrón, tifoz i zjarrtë i Real Madridit, i pranishëm në stadium.
“Pak padel në Bernabéu”, – shkroi Vinicius në Instagram, duke etiketuar Lebrón. Ky i fundit iu përgjigj menjëherë: “Më i miri”. Marrëdhënia e tyre është e hershme. Në janar, gjatë pezullimit, Vinicius e ftoi për herë të parë Lebrón për një ndeshje padeli, duke ndarë pasionin e tij të madh jashtë futbollit.

The post Festimi i pazakontë, Vinicius zbulon pasionin e tij të madh jashtë futbollit appeared first on Telesport.










