Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka konsideruar jokushtetuese ndarjen e votimit për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës nga komunitetet joshumicë. Sipas tij, zgjedhja e nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë është dashur të bëhet në pako, raporton EO.
Haradinaj i cili doli nga seanca e sotme para se të hidhen në votim kandidatët për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, tha se Kurti qëllimshëm po tenton të vazhdojë zvarritjen e konstituimit të Kuvendit, në mënyrë që të vazhdojë të jetë si kryeministër në detyrë.
“Ne kemi ardhë në seancë që të zbatohet procedura e njohur. Ka ndodhur ndërhyrje në procedurë në mënyrën e votimit për kandidatët për Kryesi të Kuvendit nga komunitetet jo shumicë. Ndërhyrja në procedurë është jokushtetuese. Pra, ne kemi përvojë paraprake që na obligoi Gjykata Kushtetuese me u kthye në procedurë dhe që me respektu Rregulloren e Kuvendi. Është problem me u bë pjesë e kësaj loje në vazhdimësi. Qëllimi është vetëm me e humbë kohën me shkelje kushtetuese, qoftë edhe me rezultat jokushtetues në mënyrë që me i fitu edhe dy-tre muaj kohë që Kurti me vazhdu me mbetë ushtrues detyre i kryetarit të Qeverisë. Ai e ka në dorë ai po e bën këtë”, tha ai.
Ai adresoi kritika sërish për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kryetarin e saj, Lumir Abdixhiku.