Pas debutimit shumë të hidhur në kampionat, që i solli Massimiliano Allegrit edhe humbjen e parë në rikthimin e tij si trajner i Milanit, kuqezinjtë do të zbresin sërish në fushë nesër ndaj Lecce, në “Via del Mare”. Përballë do të jetë skuadra e Di Francesco, gjithmonë e vështirë për t’u mundur. Ja deklaratat kryesore të Allegrit në konferencën për shtyp:
Pas Cremonese: “Skuadra ka shumë dëshirë për të reaguar pas asaj disfate të papritur. Me më shumë kujdes te rastet e golave, mund të kishim fituar. Lecce është skuadër e shpejtë dhe e organizuar, nuk është kurrë e lehtë të luash atje”.
Merkatoja: “Ditët e fundit të merkatos nuk më frikësojnë, jemi mësuar. Klubi po punon për të sjellë lojtarë që na nevojiten, me synimin që në mars të jemi në një pozicion të mirë”.
Santi Gimenez: “Është një sulmues i mirë, i vetmi që kemi. E njoh prej 20 ditësh dhe presim shumë prej tij”.
Raporti me drejtuesit: “Flas çdo ditë me Furlani, Tare, Ibra dhe Moncada. Objektivi është të kemi qëndrueshmëri”.
Nkunku dhe kërkesat në merkato: “Klubi di t’i shfrytëzojë rastet. Unë jam i kënaqur me grupin e lojtarëve që kam në dispozicion, duhet vetëm të punojmë”.
Jashari: “Është lojtar i fortë, por u dëmtua sot në një përplasje me Gimenez dhe nuk do të jetë nesër. E shoh si mesfushor para mbrojtjes, ose në çift”.
Mbrojtja: “Në 90 minuta bëmë dy gabime dhe pësuam dy gola. Duhet t’i minimizojmë gabimet, ndoshta edhe t’i eliminojmë. Nuk e di ende kush do të luajë nesër”.
Sulmi: “A na nevojitet një qendërsulmues si Giroud? Të gjitha klubet e duan një të tillë. Klubi po punon për të ndërtuar një skuadër konkurruese”.
Golat e pësuar: “137 gola në dy vite janë shumë. Duhet punë, jo fjalë. Me punë do ta rregullojmë këtë problem”.
Diferenca mes miqësoreve të verës dhe Cremonese: “Futbolli nuk shpjegohet, por luhet. Edhe kur ishim të pozicionuar mirë, gabimet individuale na kushtuan. Sidoqoftë, jam i bindur se do të përmirësohemi”.
Rabiot: “Nuk kemi folur që para pushimeve. Jam i lidhur me të sepse kemi punuar bashkë, por kohët e fundit nuk kemi folur”.
Pa Leao: “Do të gjejmë zgjidhjen, kemi opsione edhe nga stoli. Lecce është ekip i organizuar, duhet të barazohemi në vrapim e përkushtim, pastaj cilësia jonë do të dalë në pah”.
Bashkëjetesa mes Leao, Saelemaekers, Pulisic e ndonjë tjetër sulmuesi: “Varet nga ata. Nëse shfaqin gatishmëri, gjithçka është e mundur. Jam i lumtur me këtë grup, stërviten fort, nesër duhet të fitojmë”.
A e ka kërkuar ndonjëherë Dusan Vlahovic: “Jo, nuk e kam kërkuar kurrë, ai është lojtar i Juventusit. Me klubin kam folur për karakteristikat e lojtarëve dhe gjërat që mund të bëhen. Nëse do të vijnë lojtarë me karakteristika të ndryshme, disi do t’ia dalim”.
The post “Jashari i dëmtuar, nuk do të jetë në Lecce. Merkatoja? E bën klubi, kurrë nuk e kam kërkuar Vlahovic” appeared first on Telesport.