Në “Blundell Park”, mes Grimsby dhe Manchester United, ndodhi e paimagjinueshmja. Skuadra e kategorisë së katërt të futbollit anglez arriti, pas një serie prej 26 penalltish, të eliminojë nga “Carabao Cup”, në raundin e 1/16-ve skuadrën nga “Old Trafford”.
Pa vlerë mbeti barazimi i marrë në fund, me golat e Mbeumo dhe Maguire. Ruben Amorim, trajneri aktual i Manchester United, mori përgjegjësinë dhe komentoi disfatën e plotë të skuadrës së tij, pas penalltive:
“Dua vetëm t’iu kërkoj ndjesë tifozëve tanë, s’kam asgjë tjetër për të thënë në lidhje me paraqitjen. Kur gjithçka është kaq e rëndësishme në klubin tonë, përpiqesh t’i bësh të gjitha. Që nga parasezoni, edhe kundër Arsenalit…, mund ta humbasësh ndeshjen, por të paktën je aty, po përmirësohesh, sheh se çfarë bëjnë lojtarët në fushë”.
Duke analizuar më tej sfidën e mbrëmshme ndaj Grimsby, trajneri portugez nuk i kurseu fjalët: “Pastaj arrin në një ndeshje të tillë, ku gjithçka është kaq e rëndësishme për klubin tonë. E fillon kështu…, mendoj se lojtarët e mi po e thonë me zë të lartë se çfarë duan vërtet”.
Dhe për ta mbyllur: “Prandaj, më vjen shumë keq për tifozët tanë. Nuk kam gjë tjetër për të shtuar”.
The post “Carabao Cup”, turpërohet nga skuadra e kategorisë së katërt. Amorim: Iu kërkoj ndjesë tifozëve tanë appeared first on Telesport.