Mbrojtësi i Real Madridit, Antonio Rüdiger, ka pranuar se sjellja e tij në finalen e Kupës së Mbretit, ku hodhi një bllok akulli drejt arbitrit De Burgos Bengoetxea, ishte “e gabuar dhe krejtësisht e ekzagjeruar”. Ai theksoi se e “lanë nervat” për shkak të tensionit të ndeshjes.
“Nuk ka dyshim që sjellja ime ishte e gabuar dhe e ekzagjeruar. Ishte marrëzi ta hidhja fashon në fushë dhe të më lëshonin nervat. Jam i vetëdijshëm që tani do të jem nën një vëzhgim kritik të veçantë”, – tha qendërmbrojtësi gjerman për “Süddeutsche Zeitung”.
Rüdiger shtoi se të gjithë e dinë se është “një tip shumë emocional”, sepse gjithmonë jep 100% në fushë: “Stili im i lojës ushqehet nga këto emocione, të cilat më kanë bërë mbrojtësin që jam sot. Sidoqoftë, në kontekstin e kësaj finaleje e teprova qartësisht. Ishte një gabim i madh, jam shumë i zemëruar me veten për këtë”.
Mbrojtësi 32-vjeçar nga Berlini u dënua me 6 ndeshje pezullim nga Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF), pasi humbi toruan në fund të ndeshjes kundër Barcelonës, ofendoi arbitrin dhe hodhi një objekt në drejtim të tij.
Nga ana tjetër, trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, i tha Rüdigerit se një sjellje e tillë është e papranueshme dhe se do të ketë pasoja nëse përsëritet, edhe pse ai mbetet lojtar kyç për kombëtaren.
Sa i përket ekipit kombëtar, Rüdiger është gati të rikthehet me Gjermaninë për ndeshjet kualifikuese të Botërorit kundër Sllovakisë dhe Irlandës së Veriut, javën e ardhshme, pas mungesës në sfidat e qershorit, në fazën finale të “Nations League”.
The post Rüdiger e pranon: Sjellja ime në finale ishte e gabuar dhe krejtësisht e ekzagjeruar appeared first on Telesport.