Qeveria prezanton udhërrëfyesin për dokumentimin e dëmeve ekonomike gjatë lu*ftës – Kurti: Obligim moral dhe kombëtar

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në prezantimin e aneksit të Metodologjisë së punës së Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës (IKKL) për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve ekonomike të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se ky proces, përtej së qeni detyrë institucionale e profesionale, është obligim moral ndaj viktimave dhe obligim kombëtar për Republikën tonë dhe na shërben për ballafaqimin me të kaluarën, për të tashmen me dinjitet dhe një të ardhme më të drejtë e më të qëndrueshme për shoqërinë tonë.

Duke qenë se lufta në Kosovë ishte projekt i shkatërrimit e i asgjësimit, i plaçkitjes e i rrëmbimit nga ana e forcave të Serbisë, me krime të organizuara e të planifikuara, andaj dokumentimi i tyre është jetik. “Gjatë luftës, populli i Kosovës përjetoi dhimbje të mëdha: vrasje, zhdukje me dhunë, dëbime masive, shkatërrim të pasurisë dhe plaçkitje sistematike. Krahas dëmit të jashtëzakonshëm në jetët e njerëzve nga gjenocidi i Serbisë, në Kosovë janë shkaktuar edhe dëme të pallogaritshme ekonomike, përfshirë djegien e pronave private dhe publike, rrënimin e infrastrukturës, shkatërrimin e objekteve kulturore e arsimore, grabitjen dhe shkatërrimin e trashëgimisë shpirtërore dhe kombëtare”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se dokumentimi i këtyre krimeve ekonomike është pjesë integrale e së vërtetës historike dhe se përmes një metodologjie të qartë, profesionale dhe gjithëpërfshirëse mund të ndërtojmë një arkiv të besueshëm, i cili do të shërbejë edhe për kujtesën kolektive të brezave që vijnë.

Qeveria e Republikës së Kosovës e ka mbështetur fuqishëm Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës, i cili që prej themelimit në nëntor të vitit 2023 ka shënuar hapa të rëndësishëm, duke ruajtur në arkivat e institutit mbi 345 metra linearë material fizik dhe 23.6 terabyte materiale digjitale. E për këtë qëllim, kryeministri Kurti tha se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të mbështetur këtë proces, përmes së cilit ne u japim zë viktimave dhe gjithashtu u japim edhe peshë dëshmive të së kaluarës sonë të dhimbshme. “Çdo dokument i mbledhur, çdo dëshmi e ruajtur, është akt nderimi për të rënët, dhe premtim se krimet e kryera gjatë luftës, pra krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi i Serbisë në Kosovë nuk do të harrohen asnjëherë”, tha ai.

Ai falënderoi Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës për punën e angazhimin e deritanishëm, si dhe të gjithë ata që kontribuuan në këtë proces kaq të rëndësishëm, i bindur se me përkushtim, bashkëpunim dhe profesionalizëm, do të arrijmë të vendosim themele të forta për drejtësi dhe paqe të qëndrueshme në vendin tonë.

Ndërkaq, Drejtori Ekzekutiv i IKKL, Atdhe Hetemi, theksoi se në bazë të punës së deritanishme arkivi i Institutit përmban materiale fizike dhe digjitale të mbledhura nga 11 shtete të ndryshme falë besimi që kemi ndërtuar me partnerë institucionalë, familjarë të viktimave dhe vetë viktima të mbijetuara. Duke folur për punën e Institutit, përveç ndërtimit dhe plotësimit të arkivit, ai tha se Instituti ka shërbyer edhe si platformë kujtese që gjeneron fakte shkencore dhe sensibilizon kujtimin. Këtu ai veçoi organizimin e konferencës së parë shkencorë në shkurt të 2025, me pjesëmarrje nga dhjetëra universitete botërore, artikujt e të cilës janë pranuar për publikim nga shtëpia prestigjioze botuese “Routledge”, si dhe forumi “Za në Kujtesë”, i cili përmes diskutimeve dhe ekspozitave, ka sjellë në vëmendje fenomene të rënda historike, si ushtarët shqiptarë të vrarë në Armatën e Jugosllavisë dhe së shpejti do të trajtojë helmimet e nxënësve shqiptarë në vitit e ’90-ta.

The post Qeveria prezanton udhërrëfyesin për dokumentimin e dëmeve ekonomike gjatë lu*ftës – Kurti: Obligim moral dhe kombëtar appeared first on Kosovapost.net.