E para nga 858 ndeshje si zikaltër, 30 vite pas debutimit të Javier Zanetti në Serie A

27 gusht 1995, java e parë e kampionatit në Serie A. Ndeshja e parë e sezonit nuk hyn gjithmonë në histori për një klub, por ajo pasdite, në fund të gushtit, do të mbetet përgjithmonë në librat e historisë së zikaltërve, sepse ishte hera e parë që Javier Zanetti doli në fushë me fanellën e Interit.

E para nga 858 herë në total. Ai kishte mbërritur së bashku me Rambert nga Argjentina, i transferuar nga Banfield, ndërsa sulmuesi nga Independiente. Atë ditë, Javier Zanetti veshi fanellën me numrin 4 të Interit dhe thjesht nuk e hoqi më kurrë.

Zv.presidenti aktual zikaltër i thyeu të gjitha rekordet me këto ngjyra: paraqitjet më të shumta, 858; më shumë ndeshje të luajtura në Serie A nga çdo lojtar jo-italian, 615, plus 3 ndeshje “play-off”; lojtari më i dekoruar në historinë e Interit, me 16 trofe (5 tituj kampion, një Champions League, një Botëror Klubesh, një “UEFA Cup”, 4 Kupa Italie dhe 4 Superkupa Italiane).

Rekordet dhe numrat e tij ishin thjesht të pafund. Në këtë përvjetor debutimi zikaltër le të shohim vetëm se ku nisi gjithçka, ndeshja e tij e parë me Interin, 30 vite më parë. Luhej Inter-Vicenza, e vlefshme për Serie A (1995-1996). Ottavio Bianchi ishte në pankinë për Interin, teksa Javier Zanetti u vendos në pozicionin e mbrojtësit të djathtë me numrin 4 në shpinë.

Në anën tjetër të mbrojtjes së Interit atë ditë? Roberto Carlos. Dhe ishin pikërisht dy mbrojtësit që shkëlqyen në atë ndeshje, me sulmet e tyre drejt portës, që ishin thjesht të pamundura për kundërshtarin. Nuk ishte Zanetti që shënoi, por Roberto Carlos vendosi rezultatin në atë pasdite me diell në “San Siro”.

Një nga goditjet e tij të famshme të dënimit e vulosi rezultatin 1-0 në fund të ndeshjes. Për Interin ishin 3 pikë të çmuara për ta nisur sezonin e ri. Për Zanettin ishte hapi i parë i rrugëtimit të tij magjik me ngjyrat zikaltër.

INTER-VICENZA  1-0 (27 gusht 1995)
Inter: Pagliuca, Festa, Fresi, M. Paganin, J. Zanetti, Dell’Anno, Berti (Bianchi), Fontolan, Roberto Carlos (Bergomi), Ganz, Delvecchio. Trajner: Ottavio Bianchi.
Vicenza: Mondini, D’Ignazio, Bjorklünd, Lopez, Sartor, Mendez (Rossi), Di Carlo, Maini, Lombardini, Murgita, Otero (Briaschi). Trajner: Francesco Guidolin.
Shënues: Roberto Carlos

The post E para nga 858 ndeshje si zikaltër, 30 vite pas debutimit të Javier Zanetti në Serie A appeared first on Telesport.