Gruaja e Bruce Willis: E di që më njeh, kur jemi bashkë fytyra e tij ndriçon

Emma Heming Willis ka folur hapur për jetën me bashkëshortin e saj, aktorin e famshëm Bruce Willis, i cili vuan nga demenca frontotemporale.

Fillimisht në vitin 2022 u bë e ditur se ai ishte diagnostikuar me afazi, gjendje që ndikoi në tërheqjen e tij nga aktrimi, ndërsa më pak se një vit më pas u zbulua diagnoza e demencës.

Në një intervistë me Diane Sawyer, Emma tregoi se Bruce është në gjendje të mirë fizike, por vuan nga ndryshime në tru që kanë prekur gjuhën dhe personalitetin e tij.

Ajo theksoi se beson se ai e njeh ende, pasi fytyra i ndriçon kur janë bashkë, dhe se ruan një marrëdhënie të ngrohtë me vajzat e tij.

Emma kujtoi shenjat e para të sëmundjes, si tërheqja nga komunikimi, apatia dhe hutimi gjatë punës, gjë që e frikësoi.

Pas diagnozës, ajo u përpoq të izolojë familjen për të shmangur shqetësimet dhe iu desh të merrte një vendim të vështirë duke e zhvendosur Bruce në një shtëpi ku merr kujdes të plotë.

Megjithëse sëmundja nuk ka shërim, Emma thotë se e vlerëson çdo moment me të dhe ndihet mirënjohëse që burri i saj është ende pranë familjes.