A u shkel Kushtetuta në seancën e djeshme? Flet Bajraktari

Njohësi i Kushtetutës, Ardian Bajraktari, ka folur për situatën e zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.

“Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, si ai i qershorit dhe veçanërisht ky i fundit, e njohin praktikën parlamentare si normë të zbatueshme”, ka thënë ai në Edicionin Special të Klan Kosovës.

“Në këtë drejtim, zgjedhja e nënkryetarëve është bërë, që nga fillimi, në dy forma, në dy pako të ndara. Në pakon e parë bëhet zgjedhja e nënkryetarëve që përfaqësojnë komunitetin shumicë, ndërsa në pakon e dytë bëhet zgjedhja e nënkryetarëve që përfaqësojnë komunitetet pakicë”.

Bajraktari tha se devijimet e këtij rregulli nënkuptojnë automatikisht shkelje edhe të vetë Kushtetutës.

“Prandaj, çdo devijim ose shkelje e këtij rregulli, në rastin e zgjedhjes së nënkryetarëve nga komunitetet, përbën mospërputhje me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese”.

“Si rrjedhojë, sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, konkretisht pika 108, mosrespektimi i këtij vendimi nënkupton automatikisht edhe shkelje të vetë Kushtetutës”.