Legjenda e futbollit kroat dhe aktualisht trajner i Malit të Zi, Robert Prosinečki, ka folur për “Gazzetta dello Sport”, duke lavdëruar mesfushorin e ri të Interit, bashkëkombësin e tij Petar Sucic. I ardhur nga Dinamo Zagreb, talenti 21-vjeçar ka lënë përshtypje pozitive që në debutimin zikaltër kundër Torinos, pas paraqitjeve të mira edhe në Botërorin e Klubeve.
Prosinečki theksoi se nuk është aspak i habitur nga niveli i tij: “Sucic është pikërisht ashtu siç është shfaqur në këtë fillim sezoni tek Interi. Po flasim për një mesfushor të kompletuar, me dimension ndërkombëtar, që mund të luajë titullar në një skuadër të madhe si Interi.
Ka maturinë e një lojtari shumë më të rritur se 21 vjeç, sjell intensitet në presing dhe ka aftësi me topin, sepse nuk ka frikë ta mbajë atë dhe të tentojë goditjen ose pasimin e rrezikshëm. Është përmirësuar në çdo aspekt, e shoh gati të mësojë akoma. Ndoshta ka mesfushorë më të fuqishëm fizikisht se ai, por në fund diferencën gjithmonë e bën teknika”.
Më pas, krahasimi i fortë me Marcelo Brozovic: “Petar është në fazë rritjeje, edhe në aspektin fizik e muskulor, por për mua mund të bëhet edhe më i fortë… Si Brozo, vrapon pafund në fushë, di të mbulojë në fazën mbrojtëse dhe të gjejë pasimin e duhur, por i përket një gjenerate tjetër. Ai është formuar në një futboll ndryshe dhe mund të garantojë më shumë vazhdimësi”.
The post Prosinečki “bekon” Sucic tek Interi: Mund të bëhet edhe më i fortë se Brozovic appeared first on Telesport.