Moise Kean ka zgjedhur “ta hapë zemrën” në një intervistë për “GQ Italia”, ku është edhe protagonist i kopertinës së shtatorit. Sulmuesi i Fiorentinës ka folur për rrugëtimin e tij, vështirësitë e kaluara dhe motivimin e ri që ka gjetur me fanellën vjollcë: “Fiorentina arriti të nxirrte më të mirën nga unë, më ofroi ndihmë të madhe.
Ndihesha sikur kisha rënë në një gropë të zezë, por klubi vjollcë më dha besim të jashtëzakonshëm. Nuk doja të zhgënjeja një skuadër dhe një qytet që më pritën kaq pozitivisht, doja t’i shpërbleja njerëzit që më dhanë një mundësi kaq të madhe”.
Një sakrificë që nisi herët: “Për të luajtur futboll, në moshën 13-vjeçare lashë gjithçka pas: nënën time, familjen, shokët. Ishte e vështirë dhe, në një farë mënyre, e rrezikshme. Kur zgjodha të largohesha, duhej të kthehesha me diçka në duar”.
Kean ndalet edhe te raporti i veçantë me kombëtaren italiane: “Kam një lidhje shumë të fortë me fanellën e Italisë. Çdo herë që zbres në fushë me të kaltrit, është një ëndërr fëmijërie që realizohet. Në mendjen time ende ruaj emocionet e Botërorit 2006. Isha 6 vjeç, në shesh me shokët, me një akullore në dorë, duke parë ndeshjet. Atëherë shpresoja që Italia të fitonte, tani luaj vetë për kombëtaren. Është e papërshkrueshme”.
Sa i përket Serie A, sulmuesi vlerëson ngritjen e nivelit: “Pas eksperiencave në Angli e Francë, kam ndjerë qartë përmirësimin e kampionatit italian. Serie A është bërë shumë më konkurruese, jo vetëm nga ana taktike, por sidomos nga ajo mendore. Ka shumë të rinj me dëshirë të madhe për të bërë mirë. Është bukur të luash në një realitet të tillë, ta jetosh këtë rritje”.
The post Rrëfimi i sinqertë i Kean: Isha në një gropë të zezë, Fiorentina më ndihmoi të rilindja appeared first on Telesport.










