Jori rrëfen tmerrin familjar nëpër të cilin kaloi

Ish-banorja e Big Brother VIP Albania, Jori Delli, ka ndarë me ndjekësit një rrëfim prekës për gjendjen shëndetësore të babait të saj, i cili këto ditë ka kaluar momente të rënda pasi pësoi një infarkt ndërsa ndodhej në Shqipëri.

Në një reagim publik, Jori tregoi se falë ndërhyrjes së vëllait të saj, i ati arriti të dërgohej në spital në kohë, por nuk mori kujdesin e nevojshëm në Vlorë.

“Për fat të keq, në Vlorë nuk mori kujdesin e duhur: spitali atje nuk është aspak i përgatitur për raste emergjente. Mendoni që e dërguan në Tiranë dhe ambulanca mbërriti vetëm pas një ore; babai im duhej të bënte edhe dy orë e gjysmë rrugë me ambulancë për të mbërritur në kryeqytet,” – shkruan ajo.

Megjithatë, Delli shprehu mirënjohje për QSUT në Tiranë, ku i ati iu nënshtrua një operacioni të suksesshëm. “Kam vetëm fjalë mirënjohjeje për spitalin QSUT në Tiranë: falënderoj me gjithë zemër stafin, infermierët dhe mjekët që u kujdesën për të dhe që me një operacion të suksesshëm i shpëtuan jetën,” – shtoi ajo.

Jori shfrytëzoi këtë rast për të bërë edhe një apel ndaj institucioneve shqiptare: “Me shpresën që shteti shqiptar të vendosë të investojë jo vetëm në turizëm dhe infrastrukturë të re, por edhe – dhe mbi të gjitha – në shëndetësi, duke vënë shëndetin dhe jetën e qytetarëve në vend të parë.”