Refuzojmë të bëhemi pjesë e cirkut votues për nënkryetarët minoritarë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia që ai udhëheq refuzon të bëhet pjesë e “cirkut votues” për nënkryetarët minoritarë, ku edhe ngeci sot konstituimi i Kuvendit, shkruan Reporteri.net.

Sipas Abdixhikut, Vetëvendosja po shkakton kriza qëllimisht.

“Kanë marrë drejtimin e Kuvendit drejt theqafjes jokushtetuese. Le t’i japin zgjidhje krizave që i shkaktojnë qëllimisht; përfshirë dhe precedaneve të rrezikshme bllokuese nga Serbia në të ardhmen. Ky s’është drejtimi ynë! Prandaj dhe s’mund e s’duam të jemi pjesë e një skenari të tillë”, ka shkruar Abdixhiku.

Tutje ai ka thënë se uroj që votuesit e VV’së të kenë kuptuar se ku ka përfunduar vullneti i tyre.

“Sot, më shumë se kurrë, shtroj dorën e afrimit me secilin qytetar në vend, që nuk ndihet i përfaqësuar me këtë politikë. Që LDK-në e vlerave, në përmbajtje e konstitucionalizëm, ta sheh si adresë të përfaqësimit me dinjitet. Le të bashkohemi rreth ëndrrave normale në një Republikë normale!”, ka shkruar Abdixhiku.

Ndryshe, Lista Serbe fillimisht propozoi Sllavko Simiqin tri herë radhazi për nënkryetar të Kuvendit, por i njëjti në asnjë nga votimet s’mori votat e mjaftueshme.

Në votimet e tij, ai kishte veç 10 vota për. LDK nuk mori pjesë në asnjë nga votimet.

Bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ku i njëjti kandidat nuk lejohet të propozohet më shumë se tri herë, Lista Serbe nuk pranoi ta ndryshonte emrin, pavarësisht kërkesës së Kryeparlamentarit.

Në këtë rast, hyri në funksion pika e 7 e nenit 12 të Rregullores së Punës së Kuvendit, me procedurë të shortit.

Nga shorti, kandidatja e parë ishte deputetja, Verica Çeraniq e cila poashtu s’arriti të marrë votat e mjaftueshme për nënkryetare të Kuvendit. Ajo u hodh në votim po nga shorti dy herë, pasi në herën e tretë nuk refuzoi dhe nuk u hodh në votim fare. Kandidati i dytë përmes shortit ishte, Stefan Kovaçeviq. As ai s’mori vota për tu zgjedhur nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb. Asnjë votë për, 48 kundër dhe 19 abstenime.

Kandidatja e radhës, Liljana Stafaneviq refuzoi të ishte kandidate për nënkryetare, andaj nuk u hodh në votim fare.

Nenad Rashiq, ishte kandidatura tjetër përmes shortit, e që as ai s’mori votat e mjaftueshme. Derisa në sallë ishin 95 deputetë. VV-ja votoi për Nenad Rashiq nënkryetar të Kuvendit, ndërsa PDK-ja abstenoi. Por, pavarësisht kësaj, Rashiq s’u bë nënkryetar, as me 55 votat e VV-së. Një kundër dhe 17 abstenime.

Në të gjitha këto votime që u bën me short, Lista Serbe nuk mori pjesë fare në votim.