Kancelari gjerman Friedrich Merz i cilësoi sulmet e fundit të ushtrisë izraelite në Gaza si “të papranueshme”, ndërsa kritikoi përdorimin joproporcional të forcës kundër palestinezëve dhe rritjen e viktimave civile, transmeton Anadolu.
Pas takimit të tij me kryeministrin belg Bart De Wever, kancelari Merz mbajti konferencë të përbashkët për media në Berlin. Merz shprehu shqetësim për vendimin e qeverisë izraelite për të zgjeruar operacionin e saj ushtarak në Gaza dhe tha se ata kanë frikë nga vdekjet e mëtejshme të civilëve.
“Ajo që po bën qeveria izraelite atje dhe ajo që po bën ushtria izraelite për të zbatuar vullnetin e qeverisë izraelite është e papranueshme. Incidenti i djeshëm (sulmi i Izraelit ndaj një spitali në Gaza) hedh hije të rëndë mbi veprimet plotësisht të drejta kundër Hamasit”, tha Merz.
“Këto viktima midis popullsisë civile, palëve të treta të papërfshira, stafit të spitalit, pacientëve dhe gazetarëve janë pasojat e këtij operacioni ushtarak në shkallë të gjerë”, theksoi Merz duke përsëritur kundërshtimin e tij ndaj operacionit të zgjeruar ushtarak të Izraelit për të pushtuar qytetin e Gazës.
– Ushtria izraelite shënjestroi spitalin “Nasser”
Ushtria izraelite dje në mëngjes kreu dy sulme të ndara në spitalin “Nasser” në qytetin Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës. Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës thuhet se në sulmet e kryera ndaj spitalit “Nasser”, u vranë 20 pealestinezë, përfshirë 5 gazetarë dhe 5 punonjës të kujdesit shëndetësor.
Në sulm humbën jetën fotoreporteri i Agjencisë së Lajmeve Reuters, Hossam al-Masri; kameramani i televizionit Al Jazeera me bazë në Katar, Mohammed Salameh; gazetarja për media të ndryshme, përfshirë Independent Arabia dhe The Associated Press (AP), Maryam Abu Deqqa, gazetari i NBC News me bazë në SHBA, Moaz Abu Taha dhe gazetari Ahmed Abu Aziz.
Në një deklaratë me shkrim, ushtria izraelite e cila mori përgjegjësinë për sulmin, mbrojti idenë se nuk ka shënjestruar drejtpërdrejt gazetarët” dhe njoftoi se ka nisur hetim për incidentin.
The post Kancelari gjerman: Veprimet ushtarake të Iz*raelit në Ga*za, të papranueshme appeared first on Kosovapost.net.