Theo Walcott, ish sulmues i Arsenalit dhe i kombëtares angleze, ka lavdëruar talentin e ri Max Dowman, 15 vjeç, i cili debutoi në fundjavë me “Gunners”, duke thënë se është si Leo Messi.
Dowman, i lindur më 31 dhjetor 2009, stërvitet me ekipin e parë të Arsenalit që nga fillimi i vitit, por për shkak të rregullave të Premier League nuk mund të debutonte dot deri këtë sezon. Në Ligën e Kampionëve nuk mund të luajë deri në 16-vjetorin e tij, më 31 dhjetor.
Sulmuesi luajti minutat e tij të para në Premier League të shtunën, në fitoren 5-0 ndaj Leeds United, duke siguruar penalltinë për golin e pestë, të kthyer në gol nga Viktor Gyökeres.
Walcott komentoi për BBC: “Ai është i mirë në driblim, është i shpejtë me topin. Është si Messi. Më kujtohet kur luaja kundër Messit; kur nuk kishte topin nuk ishte aq i shpejtë, por kur e kishte, kalonte mbi njerëzit me lehtësi. Dowman e ka këtë, ka aftësinë të përshpejtojë nga hiçi.
Ka atë talent që nuk mund të mësohet, sepse luan lirshëm. Flasim shpesh për sa i mërzitshëm është bërë futbolli ndonjëherë, por ai nuk është nga ata lojtarë të mërzitshëm për t’u parë. Është shumë argëtues”, – shtoi ish-sulmuesi, i cili gjithashtu ishte një talent i hershëm, duke debutuar me kombëtaren angleze në moshën 17 vjeç e 75 ditë më 30 maj 2006.
Debutimi i Dowman, në moshën 15 vjeç dhe 234 ditë, e bëri atë lojtarin e dytë më të ri në historinë e Arsenalit që luan në Premier League, pas Ethan Nwaneri (15 vjeç dhe 181 ditë).
The post Debutoi 15 vjeç në Premier League, në Angli e krahasojnë me… Leo Messin appeared first on Telesport.