Bayerni s’ka hapësirë për Kim? Kompany: E kemi përjetuar të njëjtën gjë me Goretzka…

Michael Olise nuk ka kaluar aspak pa u vënë re te Bayern Munich. Në ndeshjet e para me fanellën e “Die Roten” ka shënuar tashmë 2 gola në Bundesliga, ndërsa në Botërorin për Klube regjistroi 3 gola dhe 2 asiste. Me pak fjalë, fillimi i këtij edicioni të ri duket se po konfirmon pritshmëritë për të. Disa klube europiane i kanë hedhur sytë mbi sulmuesin anësor francez, por ai ka kontratë deri në vitin 2029, konsiderohet i paprekshëm nga bavarezët.

Në konferencën e sotme për shtyp, drejtori sportiv Christoph Freund komentoi zërat e merkatos mbi Olise: “Zakonisht nuk flasim për detajet kontraktuale. Objektivi ynë është që Michael të qëndrojë te Bayerni për shumë kohë. Është një talent i jashtëzakonshëm”.

Më pas shtoi për mundësinë e afrimeve të tjera deri në fund të merkatos verore: “Nuk përjashtoj asgjë, qarkullojnë shumë emra. Dritarja e transferimeve është e hapur deri të hënën, prandaj diçka mund të ndodhë”.

E ardhmja e Kim Min-jae është një tjetër temë e nxehtë në kampin bavarez, për shkak të konkurrencës së fortë me Tah dhe Upamecano në mbrojtje. Megjithatë, Freund u ndal vetëm te gjendja e tij fizike: “Jemi të lumtur që Min-jae është sërish në formë të plotë, e dimë sa i rëndësishëm është për ne”.

Ndërkohë, trajneri Vincent Kompany ishte më i qartë: “E kemi përjetuar të njëjtën gjë sezonin e kaluar me Leon Goretzka, i cili reagoi siç duhet, u rikthye në skuadër dhe u bë shumë i rëndësishëm për ne. Askush nuk mund t’ia lejojë vetes një hap më pak. Kim është stërvitur shumë mirë dhe bëri paraqitje mjaft të mira kur hyri në fushë, të premten”.

The post Bayerni s’ka hapësirë për Kim? Kompany: E kemi përjetuar të njëjtën gjë me Goretzka… appeared first on Telesport.